Lajme

Abdixhiku, Kurtit: Kryeministër Kushtetutën e ke, ushtro rolin tënd


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku po bisedohet në lidhje me rezolutën për të parandaluar mbajtjen e një referendumi serb në Kosovë, ka thënë se tema e seancës në pa-kuptimësinë e vet nuk ka nevojë për trajtim parlamentar.

Sipas tij, për partinë të cilën ai e drejton mbajtja e referendumit kushtetues të një shteti tjetër është çështje e mbyllur para se të nis.

Abdixhiku, gjatë fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit të Kosovës ka potencuar se kryeministri i vendit ka obligim kushtetues të zbatojë në plotni dhe pa hezitim të gjitha mekanizmat që sigurojnë rendin kushtetues në vend.

“Kryeministër Kushtetutën e ke, ushtro rolin tënd kushtetues prej kryeministrit. Ti nuk mund të kesh më qëndrime, merr vendime. Asnjë rezolutë nuk e bënë këtë përgjegjësi as më të lehtë. Disa punë nuk bëhen për duartrokitje. Rezolutat eventuale janë shprehje e vullnetit politik e që është shprehur edhe publikisht”, ka thënë Abdixhiku.

Ai madje ka theksuar se LDK-ja nuk bën përçarje nacionale për tema të tilla.

“LDK refuzon të shkaktojë përçarje nacionale në tema si kjo. Ne megjithatë shohim përtej ngushtësisë partiake. Nëse kushtetuta të jep çdo të drejtë dhe nëse kjo seancë nuk është shfaqje për popullizëm na thoni se çfarë është. Kryeministri nuk po guxon të marrë vendim, ka zgjedhur Kuvendin që ta ndajë presionin e jashtëm ndaj tij. Problemi për referendumin serb nuk është i ri, ka kohë që është në tavolinën e kryeministri”.

Për Abdixhikun, Qeveria po e shijon tensionin dhe përplasjen me faktorin ndërkombëtar, derisa ka paralajmëruar se këto përplasje do të theksohen edhe më shumë gjatë muajve në vijim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore