Lajme

Abdixhiku konsideron Qeverinë fukara në mendje: “Kur keni parë Kurtin të flasë për ndonjë projekt madhor?”


Lumir Abdixhiku dhe Albin Kurti

Lumir Abdixhiku, marrë për bazë publikimin e institutit “GAP”, i cili një ditë më parë publikoi një grafikon me të dhënat zyrtare për investimet kapitale të realizuara për periudhën janar-qershor që nga viti 2012 në nivel qendror dhe lokal, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të investimeve në projektet kapitale.

“Realizimi i investimeve kapitale në Kosovë është më i ulëti në gjithë dekadën e fundit. Po kalon viti i dytë qeverisës, vera e dytë e kohës së punimeve, dhe asnjë projekt kapital nuk po merr formë në vendin tonë. As edhe një shenjë e lënë”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin e tij social në Facebook.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka pyetur se pse asnjë nga premtimet e dhënë nga Albin Kurti në kohën e fushatës zgjedhore për ndërtimin e projekteve madhore nuk kanë filluar as edhe në letër.

“Kur keni parë kryeministrin e Kosovës të fillojë, përurojë apo edhe të flasë për ndonjë projekt madhor kudo në Kosovë? Cilën vendpunishte me punëtorë e ka nisur ai apo kjo Qeveri deri më sot? Premtimet e 40 çerdheve në Kosovë, të 4000 banesave sociale, të rrugëve rajonale, bankave zhvillimore e aseteve sovrane – nuk kanë filluar as edhe në letër. Dhe për aq sa merr kohë një projekt të nis e përfundojë, edhe dy verat e ardhshme të këtij mandati do të shkojnë pa asnjë shenjë të lënë”, ka vazhduar ai.

Kosova sipas Abdixhikut, ka nevojë për zhvillim, e ky zhvillim për të nuk do të thotë disa transakcione bankare të skemave sociale, duke aluduar kështu për masat e fundit të Qeverisë së Kosovës për të zbutur sadopak rritjen enorme të çmimeve në vend duke shpërndarë nga 100 euro të gjithë punëtorëve, studentëve dhe pensionistëve.

“S’është ekonomia kaq e thjeshtë e shteti s’është vetëm bankë. Kosova megjithatë ka nevojë për projekte të guximshme dhe të mëdha; për investime kapitale në spitale, shkolla, infrastrukturë rrugore, stadiume, salla kulturore e në energji – në pothuajse çdo fushë të jetës publike”.

Për Abdixhikun, Qeveria është fukara në mendje dhe rrjedhimisht një gjë e tillë po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë.

“Kosova sot duket e trishtë krahasuar me tempon e punimeve në secilin shtet në rajon. E në mungesë të projekteve kapitale, le të mjaftohemi me foto shëtitëse, arrogancë qeverisjeje e arsyetime të 20 viteve të shkuara. Është më e lehtë kjo”.

Kosovë: Realizimi i investimeve kapitale nga Qeveria, më i ulëti në dekadën e fundit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore