Lajme

Kosovë: Realizimi i investimeve kapitale nga Qeveria, më i ulëti në dekadën e fundit


Qeveria e Kosovës

Instituti “GAP” përmes një grafikoni ka publikuar të dhënat zyrtare për investimet kapitale të realizuara për periudhën janar-qershor që nga viti 2012 në nivel qendror dhe lokal.

Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, Kosova bazuar në të dhënat e “GAP” ka përqindjen më të ulët të investimeve kapitale si në nivel qendror po ashtu edhe në atë lokal në dekadën e fundit.

E kjo sipas GAP është e lidhur në mënyrë eksplicite me rritjen e çmimeve të materialeve ndërtimore dhe politikave qeveritare.

Investimet kapitale në nivelin qendror në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë 9 për qind ndërsa në nivelin lokal janë 19 për qind.

Grafikoni i GAP

Shpenzimi i buxhetit për investime kapitale gjatë vitit 2021 kanë qenë 19 për qind në nivel qendror dhe 26 për qind në nivel lokal.

Investimet kapitale kanë qenë solide edhe gjatë vitit 2020 kur pandemia COVID-19 kishte shpërthyer dhe rrjedhimisht vendi ishte në izolim total. Gjatë këtij viti shpenzimi i buxhetit për investimet kapitale kanë qenë 11 për qind për nivel qendror dhe 21 për qind për nivel lokal.

Ndryshe viti 2012, sipas të dhënave të “GAP” ka shënuar shpenzimin më të madh të investimeve kapitale, kështu investimet kapitale për nivelin qendror kanë kapur shifrat e 40 për qindëshit ndërsa ato lokal 25 për qindëshit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore