Lajme

Abdixhiku konfirmon për të premten takimin me Kurtin e Osmanin


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia që e drejton është parti konstruktive dhe pro konsolidimit të institucioneve.

“Tani meqë jemi në këtë tempull këtu mesazhi që dua të përçoj është se do të punojmë për interesin e shtetit të Kosovës. Ky interes nënkupton që të jemi konstruktiv dhe të jemi të afërt me njëri tjetrin duke i projektuar idetë tona dhe duke u shërbyer institucioneve të Kosovës. Do të jemi konstruktiv duke i mbrojtur idealet e LDK-së”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku e konfirmoi se do të takohet të premten me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe ushtruesen e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmanin.

“Po besojmë që gjatë javës do të kemi konsolidimin e të gjitha organeve të LDK-së. Ajo çfarë mund të themi është se takimin e radhës e kemi të konfirmuar me u.d e –presidentes dhe kryetarin e LVV-së, të premten në orën 14:30”.

Këto komente ai i bëri gjatë vizitës në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Ai tha se arsyeja e vizitës në Prekaz është nderimi i familjes së Jasharajve.

“Jemi ardhë këtu për të nderuar themelet e lirisë dhe të shtetit të Kosovës, për të kujtuar sakrificën e Jasharajve. Ne këtë sakrificë jo vetëm që e nderojmë por na shërben edhe si inspirim për të punuar drejt së ardhmes”, ka theksuar Abdixhiku.

Dy ditë më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur Kuvendin zgjedhor duke e zgjedhur Lumir Abdixhikun kryetar të ri të partisë.

Nga numërimi i votave për kryetar të LDK-së , Lumir Abdixhiku ka fituar në raundin e parë. Ai ka marrë gjithsejtë 190 vota nga 329 delegatë.

Kundër kandidatët e tij, Lutfi Haziri ka marrë 117 vota dhe Besian Mustafa 16 vota.

Nga këto vota gjithsejtë gjashtë prej tyre janë shpallur të pavlefshme.

Në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit 2021, Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa kanë arritur që të marrin ulëse në legjislaturën e shtatë në Parlament ndërsa Haziri nuk iu fut garës për Kuvendin e Kosovës.

Në listën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, kandidati Abdixhiku është i renditur i treti me 25 mijë e 267 vota, ndërsa Mustafa i 10-ti me 9 mijë e 745 vota.

Në këto zgjedhje LDK është renditur si subjekti i tretë politik, ku gjithsejtë ka arritur të sigurojë 15 ulëse nga 120 sa ka kuvendi i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore