Lajme

Abdixhiku: BE të heqë vizat për Kosovën


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku deklaroi të martën se Bashkimi Evropian duhet të aplikojë standarde të njëjta për Ballkanin Perëndimor duke liberalizuar vizat për Kosovën.

“Në vigjilje të Samitit të BE-së që do të mbahet nesër, përfaqësuesit më të lartë të BE-së ritheksuan të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor”.

Abdixhiku, kërkoi nga BE-ja liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Kryetari Abdixhiku kërkoi që BE-ja të aplikojë standarde të njëjta për këtë pjesë të rajonit duke liberalizuar vizat për Kosovën dhe që pesë vendet tjera të BE-së të njohin Republikën e Kosovës si dhe të hapin rrugën e shtetit tonë drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e bërë nga LDK.

Po ashtu, në këtë samit morën pjesë edhe presidenti i PPE, Donald Tusk, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz etj.

Kosova ende pa liberalizim të vizave- Ilustrim

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) dhe kolegët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor pritet që në samitin e tyre në Bërdo afër Kranjit në Slloveni, të mërkurën, më 6 tetor, të përsërisin përkushtimin e ndërsjellë për lidhje më të ngushta.

Nga njëra anë, BE-ja pritet të përsërisë përkushtimin për perspektivë evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe po ashtu vendet e rajonit të përsërisin orientimin e tyre drejt BE-së.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së janë pajtuar me tekstin e draftit të deklaratës që do të miratohet në këtë samit. Në të thuhet se liderët e BE-së përshëndesin përkushtimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor ndaj perspektivës evropiane, që sipas këtij dokumenti, “është në interes strategjik dhe mbetet një zgjedhje e përbashkët strategjike”.

Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen ose siç njihet si liberalizmi i vizave, në diskursin e politikës brenda dhe jashtë vendit, ka nisur që nga viti 2010, por sinjalet që aktualisht dërgohen, qoftë nga vendet e Bashkimit Evropian, por edhe nga vetë institucionet e Kosovës, flasin për skepticizëm që kjo të realizohet së shpejti, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në Kosovë dhe të integrimeve evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore