Lajme

Abbott për Qeverinë: Dëgjoni me kujdes shqetësimet e ndërkombëtarëve për Vetting-un


Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott

Vetting-u si proces delikat kërkon maturi për t’u zbatuar me sukses, ka deklaruar ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe se Qeveria e Kosovës duhet të dëgjojë shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë me kujdes të shtuar lidhur me këtë proces.

Meqë procesi i Vetting-ut është delikat, qeveria britanike ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës të konsultohet edhe me Komisionin e Pavarur të Venecias.

“Por në çdo vend ku është vendosur një sistem i tillë vettingu, është gjithmonë një proces delikat që kërkon maturi për t’u zbatuar me sukses”.

“Për këtë arsye, ne kemi inkurajuar qeverinë që të konsultohet me Komisionin e pavarur të Venecias për këtë, dhe të dëgjojnë me kujdes shqetësimet e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë”, ka thënë Abbott në një intervistë për Telegraf.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott

Një kohë të gjatë kanë punuar me gjyqësorin dhe Qeverinë për të kryer një rishikim funksional të sistemit të drejtësisë. Ai ka thënë se nga kjo punë e bërë janë të kënaqur dhe se po shohin se ky proces po përparon tutje.

“Ne kemi mbështetur përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë për disa kohë”.

“Ne kemi punuar me gjyqësorin dhe Qeverinë për të kryer një rishikim funksional të të gjithë sistemit të drejtësisë, si dhe punën e tij për vlerësimin e opsioneve për zbatimin e një procesi vettingu për gjyqësorin. Kështu që jam i kënaqur të shoh përparim”, ka thënë ai.

Gjatë intervistës ambasadori Abbott, ka folur edhe për tema të tjera përfshi edhe për marrëdhëniet Kosovë – Mbretëri e Bashkuar dhe marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore