Lajme

AAK: Nëntë ambasadorë u emëruan në mënyrë jolegjitime


Time Kadrijaj dhe Besnik Tahiri

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherit anëtarja e komisionit për punë të jashtme, Time Kadrijaj, përmes një konference për media ka bërë të ditur se përzgjedhja ambasadorëve të Kosovës në nëntë shtete janë bërë në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit të Kosovës, pasi votimi i tyre është bërë pa kuorum.

Kadrijaj duke argumentuar pretendimet e saja ka thënë se në shumë raste të përzgjedhjes së ambasadorëve në mungesë të prezencës fizike të anëtarëve të komisionit për punë të jashtme, kryetari i këtij Komisioni, Haki Abazi, ka telefonuar deputetët për t’i pranuar votat e tyre edhe pse ata do të duhej të ishin prezent në sallë për të bërë kuromin sipas rregullores.

Ajo si shembull ka dhënë përzgjedhjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Të gjithë ambasadorët që kanë kaluar nëpër procedurat e Komisionit janë jolegjitim sepse nuk janë zgjedhur me vota fizike të deputetëve, por me platformën Zoom. Martin Berishaj si ambasador në Kroaci, Dren Doli në Holandë, Ilir Kapiti në Britani, Xhabir Hamiti në Emiratet e Bashkuara Arabe, Mehdi Halimi në Francë, Florent Çehaja në Maqedoni të Veriut, Agon Vrenezi në Turqi, Nita Luci në Norvegji”.

Kadrijaj më tej ka paralajmëruar se partia e saj do ta ngrit çështjen në fjalë në të gjitha instancat më të larta ligjore nëse nuk merren masa nga Kuvendi i Kosovës.

“Të gjithë këta konsideroj se janë jolegjitim. Është bërë shkelje ligjore në emërimin e tyre”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore