Lajme

AAK me nismë ligjore për heqjen e kushtit prej 15 vite përvojë pune për pensionistët


Shemsedin Dreshaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, në një konferencë për media ka bërë të ditur se partia e tij ka dorëzuar nismën ligjore për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, e cila parasheh largimin e kriterit diskriminues, i cili kushtëzon pensionistët të kenë 15 vite përvojë para lutës së fundit në Kosovë, në mënyrë që ta gëzojnë pensionin kontributdhënës.

Dreshaj tha se mosnjohja e stazhit të punës është një padrejtësi e madhe e shtetit të Kosovës që i është bërë pensionistëve, andaj kërkoi që këtë nisme legjislative ta përkrahin të gjithë, pavarësisht pozicionit.

Më tej ai bërë të ditur se që me këtë nismë legjislative, ndryshohet neni 8, pika 2 e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

“Konkretisht, largohet kriteri diskriminues që kërkohet, që pensionistët t’i kenë 15 vite përvojë pune para luftës. Ky kriter është diskriminues, sepse ka shumë pensionistë që dhunshëm gjatë ish-sistemit janë larguar nga puna e nuk e arrijnë përvojën prej 15 vjet përvojë pune”, tha ai.

Tutje, Dreshaj tha se kjo iniciativë nuk është e re pasi që sipas tij, edhe para kësaj legjislature ishte iniciuar nga deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu.

“Fatkeqësisht për shkak të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme kjo nismë mbeti pa u përfunduar. Me iniciativë te AAK-së ka pasur debate te shumta lidhur me këtë çështje. Mosnjohja e stazhit të punës është një padrejtësi e madhe e shtetit të Kosovës që i është bërë pensionisteve, andaj është koha që këtë nismë legjislative ta përkrahin të gjithë, pavarësisht pozicionit”, u shpreh Dreshaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore