Lajme

AAK-ja propozon që vlera e koeficientit të jetë 129 euro, Tahiri: Kështu Ligji i Pagave shpëton nga kontestimi


Besnik Tahiri

Ka kaluar një javë që prej kur Presidentja e Kosovës ka nënshkruar Ligjin e Pagave, por vlera e koeficientit të ligjit në fjalë nuk është caktuar ende.

Prandaj, Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës lidhur me Ligjin e Pagave dhe sidomos mos-bërjen publike të koeficientit duke e quajtur një veprim të tillë si një akt të papranueshëm.

“Është e papranueshme që 80 mijë shërbyes publik tash e 2 vjet të jenë në ethe e të mos e dinë pagën e tyre duke ditur se ekziston një ligj.  Është e papranueshme të mos caktohet vlera e koeficientit, a është qëllimi që edhe më tutje ky ligj të shtyhet dhe të bëhet si instrument shantazhues”, ka deklaruar Tahiri në një konferencë për media.

Mu për këtë arsye, Tahiri ka bërë të ditur se AAK-ja e ka një porosi për kryeministrin dhe qeverinë në mënyrë që ky ligj të shpëtohet nga kontestimi në Gjykatë Kushtetuese.

“Në qoftë se qëllimi i qeverisë edhe atëherë edhe tash ka qenë që ky ligj të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese dhe kurrë mos të hy në zbatim, kontestimi veç se ka filluar, një organizatë jo-qeveritare kredibile ka kërkuar nga avokati i popullit që të kontestohet ky ligj në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro, në mënyrë që mos të ketë rrënje drastike të pagave”, ka shtuar ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë gjatë një konference për media është pyetur se pse nuk po bëhet publik koeficienti për pagat.

Sipas tij koeficienti për paga ne sektorin publik është në proces e sipër, “ende po bëhen përllogaritjet”.

“S’ka asgjë këtu që mbahet fshehur. I takon administratës publike, që është në kuadër të Ministrisë së Brendshme, ta sjellë këtë përllogaritje sa më parë. Ajo që dihet është se buxheti i gjithëmbarshëm është se 745 milionë euro”, kishte deklaruar Kurti.

Megjithatë sipas Tahiri, deklarimi i Kurtit se koeficienti është në proces e sipër është e pa logjikshme.

“Por, si ka logjik që për gjashtë muaj të mos kalkulohet, kur dihet se sa është buxheti, kur dihet sa është numri i koeficienteve, kur dihet renditja e tyre, e pastaj del kryeministri e i mashtron 80 mijë njerëz e thotë se jemi duke e kalkuluar koeficientin. Kush mendon që i beson këtij tregimi, askush”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore