Lajme

AAK e quan “fëmijëror dhe jofalënderues” veprimin e institucioneve të Kosovës ndaj rezolutës së PE-së


Shefi i grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri dhe deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

Sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, veprimi i institucioneve të Kosovës, ndaj miratimit të rezolutës në Parlamentin Evropian (PE), me të cilën dënohet sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit ka qenë “fëmijëror dhe jofalënderues”.

Shefi i grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një konferencë për media ka thënë se kjo rezolutë e ka dënuar në mënyrë të drejtpërdrejt Serbinë për sulmin terrorist.

“Reagimi i Kosovës për këtë rezolutë ka qenë fëmijëror, siç shihet pa eksperiencë dhe jofalënderues. AAK-ja kërkon nga Kuvendi që të shprehë vlerësimin dhe kënaqësinë për rolin mbështetës që PE-ja po e bënë me këtë rezolutë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, ka folur edhe për përmbajtjen e rezolutës.

“Pika dy fton Qeverinë e Kosovës që të ofrojë të gjithë evidencën që e ka Kosova në dorë në mënyrë që të bëhet një hetim ndaj këtij rasti dhe njëkohësisht fton EULEX-in për gjithçka që ka për këtë rast. Pika e tretë e bën përgjegjës jo vetëm Serbinë por flet edhe për organet ushtarake”.

Më 19 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur miratimin e rezolutës mbi zhvillimet e fundit në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nga Parlamenti Evropian (PE), përfshirë ngjarjet vdekjeprurëse në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Ne mirëpresim rezolutën e Parlamentit Evropian. Ndër masat e tjera, ai bën thirrje për rritjen e sigurisë për Kosovën dhe i kërkon Serbisë të shmangë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, të ndalojë çdo mbështetje për formacionet terroriste dhe të tërheqë të gjitha bazat e saj operative paraushtarake përgjatë kufirit”, ka shkruar kryeministri Kurti.

PE-ja ka miratuar rezolutën për rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi në seancën plenare të së enjtes (19 tetor) në Strasburg të Francës, ku ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) edhe vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë nëse vërtetohen dyshimet se qëndron prapa sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës.

PE-ja ka përsëritur thirrjen drejtuar të dyja palëve që të angazhohen në dialog në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në parimin e njohjes së ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pa vonesa të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore