Lajme

AAK akuzon Vetëvendosjen për mos-ndryshimin e Ligjit për Pensione


Shemsedin Dreshaj

Debati parlamentar për plotësim ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, sipas deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka vënë në pah qëndrimet kontradiktore të partisë mazhoritare në Kuvendin e Kosovës – Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputeti i AAK, në konferencë për media ka shprehur indinjatën e tij lidhur me mos-votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, si pasojë e mungesës së kuorumit.

Ky ligj sipas Dreshajt ka bërë diskriminime të mëdha brenda punonjësve të Kosovës dhe për këtë arsye duhet të ndryshohet.

“Sot patëm një debat parlamentar për plotësim ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, gjegjësisht për nenin diskriminues 8.2 me ç’rast kërkohet stazhi 15 vjeçar para 1 janarit të vitit 1999.  Bëhet fjalë për largimin e kriterit prej 15 viteve për shkak se gjeneratat tash të cilat janë në radhë për tu pensionuar asnjëri prej tyre nuk e plotëson këtë kriter”, ka thënë Dreshaj në konferencë për media.

Për Dreshajn mungesa e kuorumit për plotësim ndryshimin e këtij ligji është si rrjedhojë e ndryshimit të qëndrimit të partisë në pushtet, e cila sa ishte në opozitë ishte i zëshëm për ndryshimin e këtij ligji.

“Ky debat solli në pah se qëndrimet e partisë në pushtet ndërrojnë sipas agjendave, e jo sipas programit. Kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë e ka mbështetur këtë ligj në mënyrë të plotë ndërsa sot mungon vullneti politik që kjo çështje të shkon përpara dhe të zgjidhet ky diskriminim i jashtëligjshëm. Kemi propozuar që të modifikohet ligji asi soji që largohet kriteri 15 vjeçar para janarit të vitit 1999”, ka shtuar ai.

Ndryshe Kuvendi i Kosovës, të premten ka bërë shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku ka thënë se komisioni përkatës i ka rekomanduar Kuvendit që të mos e përkrahë këtë nismë ligjore.

Sipas saj kjo zgjidhje duhet të bëhet në kuadër të reformës pensionale dhe skemave sociale

“Kjo Qeveri e ka ndërmend ta zgjidhë këtë çështje. Pse kjo iniciativë nuk është marrë më herët në Qeveritë e kaluara kjo iniciativë është e pasinqertë. Arsyeja pse nuk e përkrahim është forma se si është paraqitë”, ka thënë Kollçaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore