Lajme

A do shtyhen zgjedhjet? – Flasin nga Presidenca për Albanian Post


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Situata e tensionuar në veri të vendit ka vënë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve në katër komuna atje dhe nga presidenca do të jenë gati ta shqyrtojnë shtyrjen, nëse vlerësohet kështu nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani, ka deklaruar për Albanian Post se “vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve i takon institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të kritereve specifike”.

Ai tha se tashmë ekziston një praktikë dhe “Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja”.

Kupina pohoi se “presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, Presidentja Osmani do t`i ftoj subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”.

Zgjedhjet për katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan janë caktuar për 18 dhe 25 dhjetor. Me 18 dhjetor ato për kryetarw komunash, ndërsa me 25 për Kuvendet Komunale.

Kjo situatë u krijua, pasi serbët e Kosovës, nën urdhrat e Listës Serbe, u tërhoqën nga institucionet në të gjitha nivelet, meqë kërkonin nga qeveria suspendimin e vendimit për masat për vozitësit me targa ilegale serbe.

Përfundimisht, vendimi u shty me ndërhyrjen e Brukselit, por serbët nuk u kthyen në institucione.

Qeveria dhe presidenca nxituan me shpallje të zgjedhjeve, por siç u pa të martën e 6 dhjetorit, kapaciteti për të funksionuar në atë pjesë del të jetë jo i mjaftueshëm.

Të martën, policia bashkë me zyrtarët komunalë zgjedhor u desh të zmbrapsej nga Veriu, pasi serbët në veri nuk i kanë të kenë qasje në zyra.

Pati edhe të shtyna armësh e shpërthime, por akoma askush nuk është arrestuar dhe zhytarët komunalë nuk kanë arritur të shkojnë në veri.

Nga KQZ i kanë thënë Albanian Post-it se ata po punojnë online dhe një pjesë e tyre ne zyrat e kolegëve të tyre në Mitrovicën Jugore.

Në anën tjetër, përkundër kërkesave ndërkombëtarët për shtyrje zgjedhjesh, qeveria ka lëshuar një komunikatë për media ku deklarohet se “mbajtja e zgjedhjeve është obligim kushtetues”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore