Lajme

As po as jo – Tahiri për mundësinë e dorëheqjes së kryetarëve të PDK-së në Veri


Abelard Tahiri, Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së

Shefi i grupit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i pyetur nëse do të dorëhiqen kryetaret e PDK-së, nga komunat veriore ku ata drejtojnë, ka deklaruar se të gjitha veprimet duhet të bëhen me rendin kushtetues.

“Unë nuk mund të them po ose jo për këtë. Por është e rëndësishme që çdo veprime të jetë në përputhje me rendin kushtetues. Pastaj, modaliteti se si do të zgjidhen këto çështje janë më pak të rëndësishme”.

Sipas tij, ajo çfarë kryeministri ka bërë në komunat e veriut të Kosovës, është “vetëm kaos”.

Ai ka pohuar se aktualisht në këto komuna nuk ka kushte për të kryer asnjë aktivitet.

“Ajo çfarë ka bërë kryeministri është vetëm se ka krijuar një kaos në komuna të veriut. Ju e shihni se në ato komuna nuk ka kushte për asgjë, sepse është e bllokuar nga bandat që mund të kenë ardhur nga Veriu”.

“Ajo çfarë ka bërë Kurti është se e ka redaktuar sovranitetit të shtetit të Kosovës në oborret e katër komunave, pra cili është roli i një polici në oborrin e një komune?”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, për ‘Defender Europe 2023’, ai është shprehur se është e dhimbshme mospjesëmarrja e Kosovës në këtë ushtrim.

“Qëndrimi i PDK-së, është që të kemi një angazhim të përbashkët sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është e dhimbshme dhe është e papranueshme që të na vinë sanksione dhe të përjashtohet ushtria e Kosovës nga ‘Defender Europe 2023’, si rezultat i veprimeve të pamatshme nga kryeministri”.

Tahiri, tutje ka bërë të ditur se të enjten Kuvendi i Kosovës do të zhvilloj dy seanca ku do të diskutohet për reforma zgjedhore.

“Të enjten do t’i kemi dy seanca. Seancën e parë që është caktuar prej orës 10:00 do ta trajtojmë vetëm një pikë ligjin për zgjedhje të përgjithshme, gjatë kësaj periudhe që kam drejtuar komisioni Ad-hoc për trajtimin e reformës zgjedhore një punë e cila ka nisur një dekadë më parë, fatmirësisht ky komision që e kam udhëhequr gjatë këtyre 9 muajve kemi arritur me përmbyll dhe me bë një punë jashtëzakonisht të mirë”.

“Sa i përket seancës së dytë do t’ju njoftoj administrata e Kuvendit me disa pika, ku janë disa marrëveshje ndërkombëtare”.

Teksa i pyetur për kërkesat e Listës Serbe, të cilat i kanë paraqitur për t’u tërhjekur protestuesit nga Veriu, ai i ka quajtur “absurde”.

“Në anën tjetër sa i përket kërkesave absurde të Listës Serbe, nuk ka ku të shkoj policia e Kosovës, përtej territorit të Kosovës”.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për NBC NEWS, të premtën ka paralajmëruar zgjedhje në Veri, por kjo, sipas tij, do të ndodhë me kusht që fillimisht banditët që shkaktuan dhunë në protesta të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar zgjedhje të reja në Veri pas tensionimit të situatës tash e 8 ditë në Veri, ku po mbahet protesta nga serbët lokal.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten, me vendim të kryeministrit Albin Kurti realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera partnere të QUINT-it (Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), e kanë bërë fajtore Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore