Lajme

“Kina është një fuqi imperialiste, armiku i saj i vërtetë janë Shtetet e Bashkuara”


Filozofi francez Pascal Bruckner në një intervistë për italianen La Stampa shprehet qartë në lidhje me vizitën e liderit kinez. Xi Jinping, në Evropë.

“Parisi nuk do të marrë asgjë nga një vend i udhëhequr nga një tiran neo-stalinist”.

Pyetjes lidhur me fuqinë e Unionit si potencë globale, Bruckner i përgjigjet “Bashkimi Evropian konsiderohet si një shqetësim sepse është shumë i dobët për të qenë një kundërshtar”.

Filozofi francez Pascal Bruckner përdor tone eufemiste kur flet për mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë, të evokuara nga presidenti i tij.

“Është qëndrim i tij personal, nuk është konsultuar me askënd për ta formuluar”, thotë intelektuali.

Në fund të fundit, “Franca është si një Republikë monarkike”.

Bruckner qartë duket se nuk ka shumë shpresë për bisedimet e sotme mes Macron, Xi dhe Von der Leyen, gjatë të cilave dy liderët evropianë do të përpiqen të bindin kinezët për të zbehur marrëdhëniet e tyre me Rusinë.

Intervista e plotë e La Stampa-s me Pascal Bruckner

Çfarë rezultatesh prisni nga vizita e Xi Jinping në Paris?

“Unë dyshoj se Macron i vetëm do të jetë në gjendje të marrë diçka nga homologu i tij kinez, i cili është një tiran neo-stalinist”.

Pra, a është Pekini në një pozicion të fortë?

“Kina është e urryer në të gjithë botën sepse ka arrogancën tipike të një fuqie perandorake. Nuk është e dashur në Azi nga vende si Malajzia, Filipinet apo India, por as në Amerikën Latine. Megjithë fuqinë e saj, pra, ka pika për të ndikuar në negociata si këto”.

Megjithatë, me Rusinë, Kina duket se ka krijuar një marrëveshje të rëndësishme.

“Kinezët kanë afinitet vetëm me veten e tyre. Historikisht, Pekini dhe Moska kanë pasur marrëdhënie të vështira. Ata janë përplasur disa herë në të kaluarën, si në vitin 1969 me konfliktin kufitar kino-sovjetik ose në vitin 1860, kur rusët përvetësuan miliona hektarë territor kinez”.

“Për momentin ata kanë interes që t’i furnizojnë rusët me armë në kënvështrim antiperëndimor dhe mbi të gjitha antiamerikan. Shtetet e Bashkuara janë armiku i tyre i vërtetë. Evropa shihet më shumë si një gjemb në këmbë, sepse është shumë e dobët për t’u parë si një kundërshtar”.

Ndërkohë, Macron vijon të deklarojë se nuk mund të përjashtohet dërgimi i trupave në front.

“Presidenti ka thënë qartë se dëshiron të ruajë një “paqartësi strategjike”: ai flet pa thënë qartë se çfarë do të bëjë. Është një mënyrë për të frikësuar rusët. Dërgimi i trupave do të kishte kuptim vetëm nëse do të ishin ushtarë të NATO-s, por për momentin nuk ka asnjë marrëveshje mes vendeve aleate. Propozimi i Macron do të bëhet efikas vetëm kur të bëhet i besueshëm, dhe për momentin nuk është. Në çdo rast, NATO duhet të ishte angazhuar shumë më herët për të ndaluar tmerrin rus. Ne zgjohemi gjithmonë pak vonë”.

Fakti është se presidenti francez me daljet e tij po mbjell keqkuptim mes partnerëve.

“As në Francë nuk jam i sigurt se ai është i ndjekur dhe i kuptuar kur flet për këtë dosje. Është e vështirë të kuptosh lëkundjen e të menduarit të tij: më parë thoshte se NATO është në një gjendje “vdekjeje cerebrale”, ndërsa sot duket se e konsideron Aleancën Atlantike të rigjallëruar. Ai gjithashtu deklaroi së fundmi se Evropa mund të vdesë. Macron dëshiron të marrë drejtimin e një Evrope të pajisue me mbrojtjen e saj strategjike”.

Dhe cilat janë reagimet në Francë për qëndrimin e Presidentit në dosjen e Ukrainës?

“Ka anti-amerikanizëm të fortë në vend dhe qëndrimet luftarake të Macron nuk janë të mirëpritura. Francezët, si të gjithë popujt, duan paqen. Për këtë arsye, një angazhim francez në Ukrainë nuk do të mirëpritet pozitivisht. Presidenti duket i shkëputur nga bashkatdhetarët e tij”.

Në librin tuaj të fundit flisni për një trend të ri të pranishëm në shoqërinë bashkëkohore, sipas të cilit figura e heroit zëvendësohet me atë të viktimës. A është e mundur të bëjmë një paralele me Ukrainën, e cila po përpiqet të mbrohet nga agresioni rus?

“Po, sepse ukrainasit po luftojnë heroikisht për lirinë e tyre, ndërsa këtu në Francë të rinjtë po demonstrojnë të dalin në pension 60 vjeç. Por konflikti vazhdon dhe opinioni publik ka filluar të lodhet nga kjo luftë dhe si rrjedhojë ka një rënie të solidaritetit për Kievin. Kriza izraelito-palestineze po largon vëmendjen gjithashtu. Disa studentë në kampuset amerikane preferojnë të shprehin mbështetjen e tyre për popullin e Gazës dhe jo për ata të Ukrainës”.

Çfarë ka ndryshuar?

“Evropa nuk është agresive, është një kontinent që preferon të mbyllet në urrejtje ndaj vetvetes, në vetëflagjelim. Që në vitet 1920 shkrimtari francez Louis Aragon tha se “bota perëndimore është e dënuar me vdekje”. Sot ne mbyllemi brenda vetes në viktimizëm”.

A mund të përfitojnë Rusia dhe Kina nga ky qëndrim perëndimor?

“Sigurisht! Ata i njohin shumë mirë dobësitë tona, por edhe ata priren të viktimizohen. Vladimir Putin pretendon se ukrainasit janë nazistë dhe rusët janë rezistues. Kinezët, gjithashtu, thonë se po luftojnë kundër ish-fuqive koloniale që plaçkitën vendin e tyre. Më rezistenti do të fitojë”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore