Lajme

Hoti: Qasja në arkivat sekrete të Serbisë do të ndihmonte në zbardhjen e fatit për të pagjeturit


Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti, në një konferencë për media ka prezantuar raportin përmbledhës të punës gjatë vitit 2022, ku edhe ka sqaruar se pse ka mungesë të takimeve mes komisionit qeveritar të Kosovës dhe të Serbisë rreth kësaj çështje.

Hoti ka thënë se për shkak të situatës në Veri, aktualisht takimet nuk janë duke u zhvilluar.

“Natyrisht që situata në Veri, do të ketë dhe ka impakt sepse tensionet nuk i ndihmojnë askujt, e dyta gjuha vulgare, gjuha e pakuptueshme e Serbisë, në këtë rast natyrisht që ne jemi institucione dhe shqetësohen institucionet tona dhe nuk mund të marrim pjesë në takime për personat që janë zhdukur para 23 vite”, ka thënë ai para gazetarëve.

Hoti, ka deklaruar se vetëm me lejimin e qasjes në arkivat sekrete të Serbisë, mund të kryejnë punë më shumë sesa aktualisht.

“Angazhimi ynë do të vazhdoj të jetë në përkrahje të marrëveshjes, deklaratës në Bruksel, mund të themi që na është ngushtuar pak puna, marrja e informacioneve sepse kanë kaluar 23 vite dhe faktori kryesor që e determinon këtë është koha”.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti

“Dëshmitarët kanë filluar të vdesin dhe ne po insistojmë shumë që përmes Bashkësisë Evropiane ne dëshirojmë që të kemi një qasje më të madhe në arkivat sekrete të Serbisë dhe nëse arrijmë këtë ne mendojmë që kemi shumë punë në vitin e ardhshëm”.

Ndërsa, ka theksuar se janë gërmuar 24 lokacione, ku gjashtë prej tyre kanë përfunduar kurse janë në proces edhe tri lokacione të tjera.

“Komisioni nuk është i vetëm në Institucionin e Kosovës, që merret me fazën e personave të zhdukur, por ka bashkëpunim regjional me mjekësinë ligjore, policinë si dhe institucionet e tjera relevante”.

Rreth punës së komisionit, ai ka thënë se janë të vetëdijshëm që nuk është e mjaftueshme.

“Shtrohet pyetja a po punojmë sa duhet, nuk po punojmë, por këto janë mundësit tona, mundësit e institucioneve tona për të zbardhur fatin e personave të zhdukur”.

Në muajin korrik, Albanian Post, kishte realizuar një videostory me njërën nga familjarët e personave të zhdukur.

Por, si Lutfija janë edhe 1 mijë e 639 familje të tjera që presin tash e 23 vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore