Skuadra e Roma-s po kërkon shërbimet e mesfushorit italian të Fiorentina-s, Gaetano Castrovilli. Edhe në merkaton e shkuar pati tratativa nga verdhekuqtë, por që nuk u mbyllën me sukses.
Castrovilli është në sezonin e dytë në Firence. Italiani ka qenë pjesë e akademisë së klubit viola, por që nuk kishte bindur më herët për të qenë pjesë e ekipit të parë.
Dy sezonet e fundit janë krejtësisht ndryshe për 24-vjeçarin, i cili ka fituar edhe vendin e titullarit. Me Fiorentina-n ka kontratë deri në 2024 dhe klubi e vlerëson kartonin e tij 40 milionë euro.
Roma nuk kërkon të humbasë shumë kohë për të marrë shërbimet e mesfushorit, i cili është edhe pjesë e Kombëtares italiane, si dhe një nga kandidatet për të qenë pjesë e 23 lojtarëve për Euro 2020.
Megjithatë, verdhekuqtë nuk duken të bindur për të paguar 40 milionë euro për lojtarin, por do të provojnë të ulin vlerën e kartonit të Castrovilli-t, duke përfshirë në marrëveshje edhe lojtarë të tjerë. Alessandro Florenzi dhe Juan Jesus janë lojtarët që përmenden më së shumti si pjesë e marrëveshjes.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com