Lajme

Viskont Jakupi, çon në Gjykatë MPJ-në për mos rikthimin në punë si Sekretar i Parë i Ambasadës së Kosovës në Londër


Viskont Jakupi, ish Sekretar i Parë në Ambasadën e Kosovës në Londër

Viskont Jakupi, i emëruar dhe menjëherë pas një muaj i shkarkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, në pozitën e Sekretarit të Parë të Ambasadës së Kosovës në Londër, ka nisur procedurë përmbarimi ndaj MPJ-së Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil.

Përmes kësaj procedure përmbarimi, Jakupi ka kërkuar që të kthehet në Punë dhe t’i paguhen pagat mujore në mënyrë retroaktive.

“URDHËROHET debitori Ministria e Punëve te Jashtme dhe Diasporës, që kreditorin ta kthej në punë në misionin diplomatik në Londër, sipas vendimit nr.ref.293/2021, të datës 31.08.2021 të Zëvendës Kryeministres dhe Ministres se Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe ta kompensoj diferencën e pagës në mënyra retroaktive nga data e kthimit të tij nga misioni, pra nga data 11.11.2021, deri në zbatimin e këtij urdhri përmbarimor”, thuhet në Urdhërin e Caktimit të Përmbarimit, të cilin e ka siguruar Albanin Post.

 

Edhe pse ishte emëruar për një mandat katër vjeçar që të kryej punën e Sekretari të Parë në Ambasadën e Kosovës në Londër, Jakupi qëndroi atje për vetëm një muaj.

Për shkak të paqartësive rreth banimit dhe shumës së buxhetit të caktuar për këtë gjë, Jakupi u kthye në shtëpi me urdhër të Ministres Donika Gërvalla.

Me tu kthyer Jakupi, përmes avokatit Mehdi Geci është ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil. Të cilët kanë mandat ligjor për të trajtuar ankesat e të punësuarve në shërbimin civil.

Ky këshill ka aprovuar ankesën e Jakupit dhe i ka kërkuar MPJ-së të rishqyrtoj vendimin ndaj diplomatit Jakupi.

Pas këtij vendimi të Këshillit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nxjerr një vendim të ri, në të cilin e lë në fuqi vendimin e parë për shkarkim të Viskont Jakupit por në varg të arsyetimeve të dhëna, cek faktin se Ministria ka konstatuar se është bërë “një deklarim i një të pavërtete të pa tolerueshme”, në diskutimin zyrtar diplomatik – Ministre e Punëve të Jashtme (komunikimi me email në vazhdën e shqyrtimit në funksion të aprovimit të kërkesës për tejkalim qiraje).

Avokati i Jakupit, Mehdi Geci përsëri është ankuar dhe përsëri ka gjetur mbështetje nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Sipas vendimit të dytë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrë për Shërbimin Civil, Ministria e Jashtme ka fat që brenda 15 dite nga data kur pranon vendimin, të rikthej në punë z.Viskontin.

Por kjo gjë nuk ka ndodhur, kështu që Viskont Jakupi, këtë procedurë e ka nisur te Përmbaruesi, përmes të cilit kërkon që të rikthehet në punë dhe të paguhet për pagat që nuk morri deri tani, nga nëntori i vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore