Një ndër ndeshjet më interesante të Kupës së Mbretit është zhvilluar sonte në “San Mames”.
Në tempullin e futbollit bask, përballeshin baskët e Athletic Bilbao-s përballë katalunasve të Barcelonës.
Dy krahina që kërkojnë pavarësinë, përballë njëri-tjetrit në Kupës e Spanjës.
Ashtu edhe siç pritej, ndeshja dhuroi spektakël, me 120 minuta që do të duheshin për të përcaktuar fituesin.
Ndeshjen më mirë e nisën vendasit, të cilët në dhjetë minutat e para e gjetën golin e epërsisë.
Një vepër arti nga Muniain e la Ter Stegen të shtangur, dhe Athletic e gjeti epërsinë.
Mirëpo, një tjetër pikture për muzet më të bukur të futbollit, u dhurua nga Ferran Torres, i cili me një supergol barazoi në 1-1.
Përkundër tentativave të shumta, ky rezultat nuk ndryshoi deri në minutën e 85-të.
Atëherë, pas një kaosi në zonë, Inigo Martinez shënoi atë që dukej se do ishte goli i fitores për Bilbao-n.
Mirëpo, plane tjera kishte Pedri.
I riu i Barcelonës e shfrytëzoi shumë mirë një asistim nga Dani Alves dhe arriti të shënoj për 2-2 duke e dërguar ndeshjen në kohë shtesë dy herë nga 15 minuta.
Aty, pa Ansu Fati-n dhe Pedri-n, që të dy që u larguan nga ndeshja për shkak të dëmtimit, Barcelona e kishte shumë të vështirë.
Dhe, një penallti të shkaktuar nga Jordi Alba, e shndërroi në gol Iker Muniain, që ishte edhe lojtari i ndeshjes.
Me rezultat 3-2 u mbyll ndeshja, me Bilbao-n që hakmerret ndaj Barcelonës për humbjen e pësuar në finalen e sezonit që lam pas.
Shorti i çerekfinaleve të Kupës së Mbretit hidhet të premten, në orën 12:30.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com