Lajme

Serbët nga Kosova në mënyrë të organizuar nisen drejtë Serbisë për të votuar


Autobusët të mbushur me qytetarë serb të cilët janë nisur në drejtim të shtetit serb për të votuar në referendumin për ndryshimin kushtetues atje

Të dielën e 16 janarit qindra qytetarë serb të Kosovës janë parë duke kaluar kufirin Kosovë-Serbi me qëllim për të arritur në qendrat e vendvotimit ku do të votojnë në referendumin për ndryshimin Kushtetues në Serbi, pasi që në Kosovë Qeveria e vendit nuk ka lejuar që votimi të organizohet fizikisht në komunat me shumicë serbe në vend.

Në pikën kufitare në Jarinjë është rritur fluksi i qytetarëve serb dhe bazuar nga pamjet e siguruara nga Albanian Post shihet se një numër i madh i veturave dhe autobusëve në mënyrë të organizuar janë nisur për të votuar në Serbi.

Ndryshe Kuvendi i Kosovës të shtunën e 15 janarit me 76 vota pro asnjë kundër dhe një abstenim kishte miratuar rezolutën për moslejimin e mbajtjes së referendumit serb brenda territorit të vendit.

Pas kësaj, institucionet serbe kishin njoftuar se votuesit serbë nga Kosova do të mund të votojnë në vendvotimet në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë dhe Vranjë.

Në anën tjetër gjatë ditës së diel serbët në pjesën Veriore të Kosovës duke e shprehur pakënaqësinë e tyre për moslejimin e mbajtjes së Referendumit në Kosovë kanë organizuar një protestë simbolike në sheshin “Car Lazar”, të Mitrovicës Veriore.

Kësaj proteste i ka paraprirë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, deputeti Igor Simiç si dhe kryetarët e komunave Veriore të vendit.

Protestuesit në fjalë kanë improvizuar një kuti votimi ku në të kanë hedhur në mënyrë simbolike votat e tyre për Referendumin e cila po mbahet këtë të diel në Serbi.

Protestuesit serb në Mitrovicën e Veriut

Mes tjerash protestuesit kanë mbajtur në duar pankarta me mbishkrimet, “Serbët nga Kosova janë fuqishëm me shtetin e tyre, Serbinë”, “Votoj për paqe jo për terror”, “Edhe serbët kanë të drejtat njerëzore”.

Rakiç, nga këtu ka mbajtur edhe një konferencë për media ku ka potencuar se kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë do të vendosin reciprocitet në Veri të vendit nëse Qeveria e Kosovës nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe të 3 prillit.

“Nëse me 3 prill nuk lejohen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, atëherë do të vendoset reciprocitet dhe masat do të jenë serioze”, ka thënë Rakiç.

Sipas tij, ky lloj reciprociteti do të bëhet vetëm në komunat e Mitrovicës së Veriut, duke shtuar se më pas do të vendoset edhe në komunat tjera.

Ai nuk e ka mohuar mundësinë e vendosjes së barrikadave në pjesën Veriore të vendit, kur është pyetur nga gazetarët për një gjë të tillë.

“Nuk mund të përgjigjem është një pyetje hipotetike, por gjithçka është e mundur”, ka shtuar ai.

“Ashtu siç na trajton Prishtina, ashtu do t’i trajtojmë edhe ne”, ka vazhduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore