Financa

Draghi: BE duhet të përballet me reformën ‘e pashmangshme’ të rregullave fiskale


Kryeministri italian, Mario Draghi e quajti reformën e rregullave fiskale të Bashkimit Evropian (BE) “të pashmangshme” ndërsa ai “bashkoi forcat” me presidentin francez Emmanuel Macron për të nënshkruar një traktat të ri bashkëpunimi midis dy vendeve.

Udhëheqësit trajtuan nevojën për një bashkërendim më të madh të BE-së mbi rregullat e buxhetit, investimet dhe migracionin dhe për të trajtuar sfida të tjera të përbashkëta si kalimi i energjisë.

“Sa i përket rregullave buxhetore që ishin në fuqi deri para pandemisë, ato tashmë kanë rezultuar të pamjaftueshme që nga kriza financiare globale”, tha Draghi në një konferencë shtypi në Romë të premten.

“Sot rishikimi i rregullave është i pashmangshëm, jo ​​vetëm për shkak të kostos shumë të lartë të pandemisë në aspektin ekonomik dhe social, por edhe për shkak të sfidave të ardhshme të BE-së, nga lufta kundër ndryshimeve klimatike te teknologjitë e reja dhe investimet gjigante në gjysmëpërçues”.

Kryeministri italian, Mario Draghi

Macron nuk komentoi mbi reformat fiskale, por Franca ka mbrojtur prej kohësh një rishikim të rregullave të buxhetit të BE-së, të njohur si Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes. Një konsultim është duke u zhvilluar për mënyrën e ndryshimit të rregullave.

Këto rregulla u pezulluan kur shpërtheu kriza e coronavirusit, me diskutime intensive që priten se sa liri duhet t’iu jepet shteteve anëtare për financat e tyre publike.

Franca dhe Italia nënshkruan Traktatin e Quirinale në një kohë kur diplomacia evropiane po testohet nga largimi i kancelares gjermane Angela Merkel. Lidhjet më të ngushta të Italisë me Francën i japin qeverisë së Draghi-t një mundësi për të luajtur një rol më aktiv në nivel të BE-së.

Macron hodhi poshtë idenë se traktati do të sinjalizonte një ndryshim në udhëheqjen evropiane. Parisi dhe Berlini kanë një aleancë të ngjashme që nga viti 1963.

Presidenti francez, Emmanuel Macron

Për Francën, e cila do të marrë presidencën e BE-së nga janari, lidhjet më të ngushta me Italinë mund ta ndihmojnë Macron-in të forcojë thelbin e moderuar evropiano-perëndimor të BE-së.

“Ne do t’i vëmë lidhjet tona në shërbim të projektit evropian edhe më me vendosmëri”, tha Macron.

Planet për bashkëpunim më të ngushtë midis Italisë dhe Francës u diskutuan fillimisht në vitin 2017, por u lanë një vit më vonë nga koalicioni qeverisës i Lidhjes dhe Pesë Yjeve. Ky koalicion u përplas me Parisin për migracionin.

Franca tërhoqi ambasadorin e saj nga Roma në vitin 2019 pasi Luigi Di Maio, zëvendëskryeministri i atëhershëm i Italisë, u takua me protestuesit kundër jelekverdhëve.

Tashmë me e ish-presidentin e Bankës Qendrore Evropiane në krye, impulset nacionaliste-populiste të Italisë janë zbutur aq shumë sa edhe Liga mbështet bisedimet me Francën.

Kryeministri italian Mario Draghi

Traktati vjen në një moment qetësie relative në politikën italiane dhe përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm në Francë, në të cilat Macron pritet të kërkojë rizgjedhjen.

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella jep dorëheqjen vitin e ardhshëm. Ka pasur shumë spekulime në Romë nëse Draghi synon të zëvendësojë Mattarella-n si president, apo të qëndrojë kryeministër deri në fund të parlamentit aktual në 2023.

“Ne duhet ta pajisim BE-në me instrumente që janë në përputhje me ambiciet tona dhe pritshmëritë e qytetarëve tanë. Traktati që ne nënshkruam sot shënon fillimin e këtij udhëtimi”, tha Draghi.

Marrë nga Financial Times, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore