Lajme

Mario Draghi – “Super Mario” i ekonomisë evropiane, kryeministër i mundshëm i Italisë


Mario Draghi, kryeministër në ardhje i Italisë

Kush është Mario Draghi, personi i zgjedhur nga presidenti i Italisë, Mattarella për të formuar qeverinë e re?

Karriera dhe jeta private e Mario Draghi, ish-shefit të Bankës Qendrore Evropiane (BCE)

Mario Draghi është një ekonomist italian,  i njohur për përvojën e tij në krye të Bankës Qendrore Evropiane. Draghi drejtoi bankën nga viti 2011 deri në vitin 2019.

Ekonomisti italian ka lindur në Romë, më 3 shtator 1947. Është i pari italian, që ka drejtuar Bankën Qendrore Evropiane.

Që pas menaxhimit të krizës më të rëndë financiare, ai gëzon një popullaritet mjaft të madh në Itali. Falë tij u ruajt forca e euros-s, monedhës evropiane.

Që në periudhë të hershme bankat kanë qenë një ambient familjar për të. Babai i tij punonte në Bankën e Italisë, pas një eksperience në Institutin e Kërkimit Industrial (IRI), u transferua në Bankën Kombëtare të Punës (BNL).

Kur ai është vetëm 15 vjeç, Mario dhe dy vëllezërit e tij përjetuan një dramë familjare: vdekjen e të dy prindërve. Më pas, Mario Draghi, u rrit së bashku me hallën e tij.

Ai u diplomua në Universitetin e  La Sapienza-s, në Romë. Më pas vazhdoi specializimin në Institutin e Teknologjisë së Massachusetts-it. Draghi vazhdoi karrierën e tij në Goldman Sachs. Në vitin 2005 u emërua Guvernator i Bankës së Italisë.

Mario Draghi, President i Bankës Qendrore Evropiane

Në 2011 u  zyrtarizua emërimi i tij si President i Bankës Qendrore Evropiane. Një vit pas emërimit Draghi hyn në histori: ‘Whatever it takes’. Numri një i BCE-së komunikon se do të bënte ç ‘ishte e mundur për ta shpëtuar euron.

Gjatë mandatit të tij ai menaxhoi krizën financiare dhe krizën e eurozonës. Mario Draghi, njihet me nofkën “Super Mario” për rolin e tij në shpëtimin e euros. Ai u vlerësua nga të gjithë udhëheqësit evropianë për menaxhimin e emergjencës. Në vitin 2019 ai i kaloi pozicionin e tij francezes Christine Lagarde.

Mario Draghi si Super Mario, Ilustrim (Cummings)
Mario Draghi, Shef i Bordit

Midis vitit 2020 dhe 2021, emri i Mario Draghi-it qe një nga emrat e hamendësuar, nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella si kryeministër. Shtypi italian prej ditësh spekulonte në lidhje me emërimin e mundshëm të Draghi-t.

Draghi është figura e duhur për të udhëhequr qeverinë teknike. Pritet që Draghi ta kapërcejë krizën politike, për ta shmangur dramën ekonomike dhe shëndetësore që ka goditur Italinë.

Në mbrëmjen e 2 shkurtit 2021, kur mandati eksplorues i besuar, i Kryetarit të Dhomës së ulët, Roberto Fico-s dështoi presidenti Mattarella vendosi që t’ia besonte Draghi-t detyrën e formimit të një qeverie të rangut të lartë, jo politike.

Në mëngjesin e 3 shkurtit, Mario Draghi, pranoi me rezerva detyrën e formimit të një qeverie të re.

Dragh-i konsiderohet si një nga profilet e larta dhe gëzon popullaritetin e duhur për të qeverisur në këto momente të vështira shtetin italian, nëse do ta pranojë detyrën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore