Lajme

Përgjigje në pyetjet më të shpeshta rreth vaksinimit


Lul Raka dhe Arbër Shehu kanë gjetur një formë më të veçantë komunikimi me qytetarët e Republikës së Kosovës për të folur rreth temës më të popullarizuar, aktuale dhe më të frikshme jo vetëm në vend por në të gjithë Botën.

Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, njëkohësisht Profesor në i Mikrobiologjisë dhe kontrollit të infeksioneve në Universitetin e Prishtinës dhe Arbër Shehu, doktor dhe hulumtues mjekësorë në spitalin Johns Hopkins në SHBA, u janë përgjigjur pyetjeve më të shpeshta rreth rëndësisë së vaksinimit kundër sëmundjes COVID-19 dhe variantit të fundit DELTA.

Pse është i rëndësishëm vaksinimi?

Lul Raka

“Vaksinimi është mënyra më e thjeshtë, më e sigurt dhe më efektive, për të mbrojtur njerëzit nga sëmundjet e ndryshme ngjitëse.

Sot ka në botë më shumë se 20 vaksina për disa sëmundje ngjitëse, të cilat shpëtojnë afër tre milion jetë njerëzish, çdo vit”.

Sa janë të sigurta vaksinat kundër Covid-19?

Arbër Shehu

“Deri tani, të dhënat tregojnë që vaksinat kundër Covid-19 janë të sigurta. Vlerësimi i sigurisë së tyre është bërë në kushtet më rigoroze të mundshme ndonjëherë  në histori të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

A janë të sigurta Vaksinat kundër Covid-19 në Kosovë?

Lul Raka

“Po, këto vaksina që jepen në Kosovë janë të sigurta, sepse Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane dhe ajo Amerikane e barnave”.

Këto vaksina që përdoren në Kosovë janë AstraZeneca dhe Pfizer dhe ju mund ta merrni cilën do vaksinë që është në dispozicion.

A janë efektive vaksinat kundër covid-19?

Arbër Shehu

“Hulumtimet e deritanishme kanë treguar se vaksinat kundër Covid-19 janë tejet efektive. Efektiviteti i tyre shkon deri mbi 90%, varësisht nga grup mosha dhe sëmundjet e caktuara”.

A të mbron vaksina 100% nga Infeksioni?

Lul Raka

“Jo, sepse as një vaksinë që është në përdorim, nuk është 100% efikase. Kjo do të thotë që edhe te vaksinat kundër Covid-it, në raste shumë të rralla dhe tek personat që kanë marrë të dy dozat e vaksinës, kanë mundësi të infektohen”.

Cilat janë efektet anësore të vaksinave kundër Covid-19?

Lul Raka

“Vaksinat kundër Covid-19 kanë efekte anësore sikurse të gjitha vaksinat e tjera. Efektet anësore më të shpeshta janë: dhembja në vendin e injektimit, ethe, temperaturë, rraskapitje, lodhje, mundim dhe bark qitje. Efekte tjera të rënda siç janë miokarditi, mpiksja e gjakut apo perikarditi janë shumë të rralla”.

A mund të infektohem me Covid-19 prej vaksinës?

Lul Raka

“Është e pa mundur të merret Covid-19 prej vaksinës, sepse asnjëra prej vaksinave që janë në përdorim në botë, nuk kanë virus të gjallë”.

A duhet të vaksinohen pacientët që janë shëruar nga Covid-19?

Lul Raka,

“Po, edhe këta pacientë që janë shëruar nga Covid-19 duhet të vaksinohen sepse ende nuk e dimë sa zgjatë mbrojtja nga sëmundja. Në shumë shtete të Evropës, personat që e kanë kaluar Covid-in, rekomandohet që të vaksinohen 3 deri 9 muaj pas shërimit ose pas infektimit. Por në qoftë se këta persona dëshirojnë më herët që të vaksinohen, ta zëmë pas një muaji, atëherë nuk ka kundër indikacion për vaksinim dhe mund ta marrin vaksinën”.

Sa kohë zgjat mbrojtja nga vaksina?

Arbër Shehu

“Nuk e dimë saktësisht, sepse duhet kaluar një periudhë kohore për tu bërë matjet në botën reale, për ta kuptuar se a na mbrojnë vaksinat nga Covid-i, sa gjatë”.

A duhet të vaksinohem nëse aktualisht jam i sëmurë me Covid-19?

Lul Raka

“Jo, personat të cilët janë të sëmurë aktualisht me Covid duhet të presin që t ë shërohen dhe pastaj të vaksinohen”.

Kur konsiderohet një person plotësisht i vaksinuar?

Arbër Shehu

“Plotësisht i vaksinuar konsiderohet ai person i cili i ka pranuar dy dozat e vaksinës dhe kanë kaluar 14 ditë prej dozës së dytë të marrjes së vaksinës”.

Nëse e kam kaluar Covid-19 a mund të marr vetëm një dozë të vaksinë apo duhet të marr të dy dozat?

Lul Raka

“Rekomandohet që edhe nëse e keni kaluar Covid-in të merrni dy doza të vaksinë për të shmangur infeksionin nga varianti DELTA”.

Cka mund të ndodhë nëse nuk vaksinohem kundër Covid-19?

Arbër Shehu

“Nëse nuk vaksinohemi kundër Covid-19, mund të rriten rastet e reja, që shpie drejt rritjes ë numrit të hospitalizimeve, mbingarkesë në sistemin shëndetësor, rikthimin e masave strikte, po ashtu shumë gjëra të tjera negative të cilat do ta vështirësojnë jetën e qytetarit. Më e keqja mund të vie deri të vdekja si rezultat i infektimit me këtë virus. Tashmë pandemia është bërë pandemi e të pa vaksinuarve, sepse shumica e rasteve të paraqitura me infeksion prej këtij virusi janë persona të cilët nuk janë të vaksinuar”.

Nëse jam i ri dhe me shëndet të plotë a kam nevojë të vaksinohem?

Lul Raka

“Po, duhet të vaksinohen edhe të rinjtë sepse ata shpesh kanë infeksione pa simptome dhe mund ta bartin shumë shpejtë dhe shumë lehtë infeksionin tek njerëzit përreth”.

A duhet të mbajë maskë dhe distancë nëse jam plotësisht i vaksinuar?

Arbër Shehu

“Kjo varet prej vendit dhe gjeografisë. Këtu në SHBA me rritjen e rasteve si rezultat i variantit DELTA, rekomandohet të mbahet maska në hapësirat e mbyllura publike në ato rajone ku niveli i infeksionit tashmë është duke u rritur”.

Pse po ngurrojnë njerëzit për t’u vaksinuar në Kosovë?

Lul Raka

“Ka shumë faktorë që përcaktojnë këtë sjellje të  njerëzve siç janë frika dhe kundërshtimet nga vaksina, frika nga efektet anësore, teoritë konspirative dhe njohuritë e pa mjaftueshme për tu bindë që kanë vaksinë. Prandaj duhet të informoheni vetëm nga burime të sigurta siç janë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Ministria e Shëndetësisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, ISDS, SDS, etj”.

A është e sigurtë të vaksinohem gjatë shtatzënië dhe nëse planifikoj të mbes shtatëzënë?

Arbër Shehu

“Vaksinat në dispozicion kundër Covid-19 nuk janë testuar në hulumtimet klinike tek gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse. Mirë po deri më tani nuk ka dëshmi se vaksinimi shkakton probleme në shtatzëni apo tek fryti, tek personi që është vaksinuar. Nëse planifikoni të keni një fëmijë tani apo më vonë, ju sugjerohet të vaksinoheni, nëse ju ofrohet, por për një vendim të tillë mbetet tek secili person të vendosë për veten e tyre”.

A mund të ndikojë vaksinimi në Ferilitet?

Lul Raka

“Jo, nuk ka kurrfarë dëshmie që personat e vaksinuar kanë ndryshime në aftësitë e tyre riprodhuese”.

A mund të vaksinohen personat që janë alergjikë në penicilinë, në ushqim, në pluhur shtëpie apo çfarëdo alergjie tjetër?

Arbër Shehu

“Po, të gjithë këta persona mund të vaksinohen mirë po duhet të presin në qendrën e vaksinimit, 30 minuta pas vaksinimit. I vetmi kundër indikacion për të mos u vaksinuar është nëse personi është alergji ndaj vaksinës kundër Covid-19”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore