Lajme

88 prokurorë do të angazhohen “për t’i ruajtur votat e kosovarëve” me 14 shkurt


“Kushdo që cenon votën e qytetarit do të arrestohet dhe ndalohet në ditën e zgjedhjeve”.

Kështu ka thënë koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula në një intervistë për Albanian Post dy ditë nga mbajta e zgjedhjeve në Kosovë.

Pula tha se “tani më kemi finalizuar te gjitha dokumentet te cilat janë në shërbimin te projektit mbrojtja e votës”.

“Në këto zgjedhje, kemi të angazhuar 88 prokurorë dhe 40 zyrtarë nga sistemi prokurorial në tërë Republikën e Kosovës, për të siguruar efikasitet në mbrojtjen e votës së lirë’, tha ajo.

Sipas saj, Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë finalizuar dokumentin dhe procedurat standarde të veprimit për angazhim dhe veprim të përbashkët në mbrojtjen e votës së  lirë.

“Në të gjitha rastet për të cilat ka informata se në qendrat e votimit dhe në vendvotime ka keqpërdorime të procesit zgjedhor lidhur me keqpërdorimin në regjistrimin e votave në dokumentet zyrtare nga stafi i emëruar nga KQZ-ja, kryesuesi i KVV-së dhe anëtarët e tjerë, të cilët janë të obliguar të raportojnë keqpërdorimet gjatë zgjedhjeve mbi të drejtën e votimit dhe nuk e bëjnë një gjë të tillë”, shtoi ajo.

“Ju garantojmë të gjithëve se jemi të vendosur për të mos lejuar  askënd të prek votën e tyre”, ka përfunduar ajo.

Në këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike. Ndërsa votues, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, janë një milion e 794 mijë e 862.

Kjo shifër e votuesve është më e vogël se në zgjedhjet e kaluara.

Janë 143 mijë e gjashtë votues më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, kjo për arsyen e pastrimit të listave zgjedhore.

Gjithashtu, numri ka rënë edhe për faktin se KQZ ka vendosur që t’i largojë nga lista persona të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuar nga UNMIK-u.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore