Lajme

8 të vrarë në Atlanta, kapet autori


Në hapësirën e një ore, tetë persona janë vrarë në Atlanta të SHBA-së, në tri qendra të masazheve. Autori është kapur pas përndjekjes nga policia, rreth 200 kilometra nga vendi i ngjarjes.

Dy nga tre sulmet e përgjakshme, që u realizuan brenda një ore, ndodhën në pjesën veriore të qytetit amerikan. Tjetri ndërkohë, ndodhi rreth 40 kilometra më larg, në qytezën Cherokee.

Autori i dyshuar, një 21-vjeçar, Robert Aaron Long, u arrestua dhe po mbahet nën vëzhgim si përgjegjës për tre sulmet.

Robert Aaron Long, 21 vjeç, i dyshuar për vrasjet në qendrat e masazheve në Atlanta

Autoritetet kanë identifikuar viktimat. Bie në sy fakti se shumica prej tyre ishin gra aziatike. Pjesa më e madhe, koreano-jugore.

Rasti ka ngjallur shumë dyshime mbi arsyet e krimit, por ende nuk bëhet i ditur asnjë detaj. Pistat janë lënë të hapura nga policia lokale dhe po vazhdon këqyrja e skenave të krimit.

Zona, ku ishin të vendosura qendrat e masazhit, është e njohur për aktivitetin e lartë të bizneseve të tilla. Policia dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kishin nisur më parë patrullime për aktivitete të dyshimta në zonën ku ndodhi krimi.

Priten detaje të reja zyrtare mbi ngjarjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore