Uncategorized

“7 Marsi” në sytë e historisë


Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua

Ishin pikërisht këto vargje të zgjedhura nga Naim Frashëri për të përshkruar rëndësinë e kësaj dite, rëndësinë e 7 Marsit.

Sot mbushen plot 137 vite që nga dita kur në qytetin e Korçës u hap Mësonjtorja e Parë Shqipe. Në përkujtim të krijimit të saj qeveria shqiptare, në vitin 1960 vendosi që 7 Marsi të njihet si “Dita Kombëtare e Mësuesve”.

Hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë kurorëzoi me sukses një nga detyrat kryesore të lëvizjes sonë kombëtare, atë të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare, për të cilën dhanë kontributin e tyre edhe vëllezërit Frashëri.

Detyra kryesore e kësaj shkolle ishte të ndihmonte në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, në rritjen e përpjekjeve të shqiptarëve për autonomi.

Konteksti i kohës i fali asaj tri veçori: shqiptarizmin, demokratizmin dhe pavarësinë.

Mësimi bëhej në shqip, ishte e hapur për të gjithë shtresat dhe nuk financohej nga askush tjetër përveç popullit.

Figurat që dolën nga ajo shkollë janë pionierët e historisë shqiptare.

Një nga nismëtaret e krijimit të shkollës shqipe ishte edhe Parashqevi Qiriazi, e cila punoi për arsimimin e gruas shqiptare. Me botimin e librit të saj “Abetare për shkollat e para”, ajo zuri vend në historinë e shkollës shqiptare, si e para grua autore e teksteve shkollore.

Njohja me ditën e mësuesve është një hap drejt njohjes së profesionit dhe rolit që ata luajnë në shoqëri.

Nëse kërkoni në Fjalorin e Gjuhës Shqipe fjalën mësues, do t’ju dalë ky kuptim, “ai që shquhet në një fushë të dijes a të veprimtarisë dhe merret si shembull për t’u ndjekur; udhëheqës, prijës”. Pra mësuesi cilësohet si një prijës që duhet marrë shembull.

Antikiteti grek do të prodhonte një nga shpjegimet për rëndësinë e një mësuesi në jetën e gjithkujt, ku Aristoteli shprehej se, “Ata që edukojnë mirë fëmijët janë më të nderuar sesa ata që i lindin; sepse këto të fundit u dhanë vetëm jetë, ndërsa mësuesit artin e të jetuarit mirë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore