Lajme

6 të vdekur, 53 të plagosur nga sulmi në Stamboll


Gjashtë persona kanë mbetur të vdekur dhe 53 të tjerë kanë mbetur të plagosur nga një shpërthim masiv i ndodhur në Stamboll pasditen e 13 nëntorit, ku veprimet e para hetimore janë të orientuara drejt një sulmi me prapavijë terroriste.

Shifrat i ka bërë me dije fillimisht guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaja, i cili ka shpjeguar shkurtimisht edhe situatën aktuale, në rrugën Istaklal, ku shpërthimi ndodhi, duke thënë se katër persona kishin humbur jetën.

“Të plagosurit por trajtohen momentalisht dhe hetimet po kryhen. Ndërsa, i lutemi publikut të tregojë durim, për të marrë përditësimet e fundit zyrtare mbi ngjarjen”, shkroi ai në median e tij sociale Twitter.

Më pas, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e dënoi sulmin dhe bëri me dije se numri i viktimave kishte shkuar në gjashtë.

Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 16:20 të pasdites, në distriktin e Beyoglu. Një zonë kjo tepër turistike dhe me shumë lëvizje përgjatë gjithë orëve të ditës.

Fillimisht, një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në një prej rrugëve, përkatësisht atë Taksim Istiklal dhe një kaos i menjëhershëm u zhvillua në zonë, për shkak të panikut të qytetarëve.

Policia, zjarrfikësit dhe ambulanca shkuan menjëherë në vendngjarje për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe aty u përballën edhe me tragjedinë.

Mediave, sipas raportimeve lokale, iu ndalua të afrohen në zonën e goditur dhe përditësimet me lajme janë bërë vetëm në rrugë zyrtare.

Nga ana tjetër, nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm u bë me dije se ky akt po hetohej si një sulm terrorist, por e la të hapur çdo rrugë të mundshme.

Ndërsa, ndihma, vijon ende të jepet në vendngjarje, si edhe po mblidhen dëshmitë e të pranishmëve.

Në vitin 2016, një akt i ngjashëm pati ndodhur në po të njëjtën rrugë, të mbushur me dyqane e pazare, ku një person ka hedhur veten në erë me eksploziv, në një ngjarje që asokohe u arsyetua si sulm terrorist.

Reagimi i Erdogan

Me një bilanc paraprak prej gjashtë personash të vdekur dhe 53 të tjerë të plagosur, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka komentuar ngjarjen si “një akt të shpifur terrorist”, i cili nuk do ta ndalë Ankaranë në luftën kundër krimeve të tilla.

Gjatë një fjale të rastit që Erdogan mbajti, përpara nisjes së tij drejt samitit të vendeve të G20-ës, i cili do mbahet në Bali të Indonezisë, kreu i shtetit turk garantoi vendosmëri në luftën kundër terrorizmit, ashtu sikundër vendi që ai drejton ka bërë në gjithë vitet e fundit.

“Kushdo që mendon se do ta kapë Turqinë me vepra terroriste, e ka përpjekje të dështuar”, tha ai. “As sot, as nesër, Turqia nuk do të ndalet përballë këtyre sulmeve, ashtu sikundër në të shkuarën nuk është ndalur.

Po ashtu, një hetim i posaçëm është ngritur për të zbuluar rrethanat e vërteta të ngjarjes, siç ka shpjeguar numri një i ekzekutivit turk, duke garantuar kapjen e çdo celule që mund ta ketë ndërmarrë atë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore