Lajme

4 ushtarë kroatë të vetëvrarë, Ministria zbardh detajet


Katër ushtarë kroatë kanë vrarë veten në më pak se një muaj, por sipas një deklarate për shtyp nga Ministria e Mbrojtjes në Kroaci, rastet nuk janë të lidhur njëri me tjetrin.

Vetëvrasjet në 30 ditët e fundit, përbënë 80% të vdekjeve të ushtarëve në detyrë. Shoqëria është e shqetësuar mbi këto zhvillime, duke kërkuar edhe një reagim nga Ministria e Mbrojtjes.

Sipas zyrtarëve të kësaj të fundit, të gjitha rastet janë të veçanta dhe nuk janë të lidhura ndërmjet tyre. Mbi të gjitha, rrethanat e vetëvrasjeve, nuk kanë qenë të lidhura me kampet ushtarake, por jashtë tyre.

Tre prej rasteve kanë qenë meshkuj dhe njëra femër. Në rastin e kësaj të fundit, zbardhja e ngjarjes nuk është bërë ende e plotë.

Nga Ministria e Mbrojtjes, është siguruar se ka psikologë të mjaftueshëm për t’u kujdesur për shëndetin mendor të ushtarakëve. Jo vetëm ushtarët janë të detyruar të paraqiten për vlerësime psikologjike, por edhe personeli teknik.

Gjithsesi, detyrimi është për të qenë pjesë e testimeve vetëm një herë në tre vjet. Dyshime ka mbi këtë paracaktim rregullor, pasi mund të jetë i pamjaftueshëm. Kjo, duke parë presionin e lartë që ushtarakët kanë.

Nëse Qeveria pretendon se rrethanat e ngjarjeve janë personale, ato duhet të kalohen në hetim të detajuar. Kjo, sigurisht, sipas ekspertëve që kanë ngritur shqetësimin e shëndetit mendor të ushtarakëve.

Me një problem të tillë, janë hasur edhe shtete të tjera. Një përqindje e lartë e vdekjeve të forcave të armatosura në Izrael, ishte për shkak të vetëvrasjes gjatë vitit 2020.

Ndaj, shëndeti mendor i ushtarakëve, mbetet një aspekt i cili nuk duhet nënvlerësuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore