Shqipëria

3,588,869 shtetas shqiptarë do të votojnë më 25 prill


Ministria e Brendshme (MB), më 17 mars, ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet parlamentare më 25 prill 2021, në Shqipëri.

Sipas të dhënave të mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, të drejtën për të votuar e kanë 3 milionë e 588 mijë e 869 shtetas shqiptarë të rritur, +18 vjeç.

Nga të dhënat e publikuara 50.5% e zgjedhësve i përkasin gjinisë mashkullore, ndërsa 49.5% të gjinisë femërore.

107 mijë e 24 shqiptarë do të votojnë për herë të parë.

Ndërsa 1 mijë e 98 persona nuk janë të përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit.

Përsa i përket qendrave të votimit janë në dispozicion 5 mijë e 199 qendra.

Sipas njoftimit të MB-së, çdo votues nëpërmjet aplikacionit e-Albania, mund të nxjerrë të dhënat e sakta si për qendrën e votimit ashtu dhe numrin që renditet në listat e zgjedhësve.

Gjithashtu MB-ja u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të cilëve iu ka skaduar afati i vlefshmërise i letërnjoftimit apo pasaportës, të drejtohen pranë zyrave përkatëse për ta rinovuar.

Kujtojmë se zyrat për të ri-aplikuar janë të hapura dhe ditën e shtunë.

“Ftojmë çdo qytetar që posedon një dokument biometrik, letërnjoftim apo pasaportë, të cilës i ka skaduar afati i vlefshmërisë, t’u drejtohet zyrave të aplikimit, për t’u pajisur me këto dokumente me qëllim që në datën 25 prill, të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre”, e mbyll njoftimin MB-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore