Shqipëria

30 vjet PS për Shqipërinë 2030


Kongresi i PS-se

Partia Socialiste (PS) feston 30-vjetorin e saj dhe në Kongresin e socialistëve të vitit 2021, vëmendja do të jetë një: Shqipëria 2030.

Kështu quhet Plani Qeverisës i kësaj dekade për PS-në, dhe, pavarësisht se disa pjesë prej tij janë shpalosur tashmë, në plotësi, ai do të pasqyrohet gjatë Kongresit të sotëm socialist.

Por çfarë do të ndodhë konkretisht gjatë Kongresit të PS-së?

Kongresi do të ndahet në dy pjesë. Gjatë të parës, do të ketë një celebrim historik të 30 viteve të PS-së.

Në një dalje për mediat, sekretari i Përgjithshëm i socialistëve, Taulant Balla, informoi se kontributi 30 vjeçar i PS-së për Shqipërinë, do të lartësohet dhe festohet. Kjo, për arsye se, sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur një vendim të socialistëve, që të ketë sjellë dëm për Shqipërinë.

“PS-ja ka kontribuar për demokracinë, proceset ligjore dhe përparimin e reformave”, do të cilësonte Balla.

Por, përtej këtij celebrimi, vend do t’u lihet edhe çështjeve më serioze për politikën.

Kështu, vizioni i Shqipërisë 2030 do të zërë vend të padiskutueshëm, por, jo të gjithin.

Një hapësirë të posaçme do të ketë për një analizë të thelluar të zgjedhjeve të 25 prillit. Zgjedhje këto, të cilat socialistët i fituan me 74 mandate.

Ky analizim do të sjellë edhe një riformatim dhe riorganizim të PS-së. Kjo fazë, gjithsesi, do të zhvillohet në terma afatmesëm.

Sipas Ballës, 15 qershori do të jetë data e fillimit të këtij procesi. Ambicia do të jetë ajo e përmbylljes së tij, më 15 janar 2022. Pra, një periudhë gjashtëmujore.

Ky ristrukturim i mirëfilltë do të shërbejë për të nisur planin e veprimit drejt zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Një pikë me rëndësi, do të jetë edhe miratimi i vendimeve të Asamblesë së Përgjithshme të PS-së. Këto pika përfshijnë zgjedhjet e strukturave vendore dhe digjitalizimin e regjistrit të partisë. Të dy këto aspekte rrënjësisht thelbësore drejt zgjedhjeve 2025.

Kongresin do ta presë stadiumi “Air Albania”, siç është komunikuar paraprakisht, rreth orës 17:30.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore