Lajme

27 milionë dollarë për familjen e George Floyd


Qyteti i Minneapolis-it ra dakord të premten për t’i paguar 27 milionë dollarë familjes së George Floyd, vdekja e të cilit shkaktoi disa muaj protesta.

Kjo shifër është ndër më të lartat dhënë më parë për të zgjidhur padinë e një familjeje.

Oficeri që akuzohet për vdekjen e tij, Derek Chauvin, pritet të dalë në gjyq këtë muaj për akuzën “vrasje të shkallës së dytë”.

Kryebashkiaku i qytetit e quajti marrëveshjen “një moment historik për të ardhmen e Minneapolis-it”.

Sakaq, Ben Crump, avokati i të drejtave civile dhe përfaqësues i familjes së Floyd, e cilësoi vendimin si shembull për komunitetet e tjera.

Vrasja e Floyd-it

Mbrëmjen e 25 majit 2020, në një dyqan në Minneapolis-in Jugor, 46-vjeçari bleu një paketë cigare. Një ndihmës i dyqanit pandehu se ai përdori një kartëmonedhë të falsifikuar 20-dollarëshe dhe lajmëroi policinë, pasi Floyd refuzoi t’i kthente cigaret mbrapsht.

Oficerët mbërritën dhe e prangosën. Mirëpo, teksa përpiqeshin ta fusnin në makinën e policisë, ai bëri rezistencë. Nga përleshja, Floyd përfundoi me fytyrë në trotuar.

44-vjeçari Chauvin vendosi gjurin e tij të majtë midis kokës dhe qafës së Floyd-it, duke e mbajtur për shtatë minuta e 46 sekonda, sipas prokurorëve.

Më shumë se 20 herë, Floyd përsëriti se nuk mund të merrte frymë. Ai do të shpallej i pajetë një orë më vonë në spital.

Një lëvizje antiracizëm, e krijuar në 2013-n pas vrasjes së adoleshentit Trayvon Martin, “Black Lives Matter”, u rigjenerua nga protestat.

Protestat në qindra qytete sollën ndryshime në ligjet lokale, shtetërore dhe një llogari mbi racizmin dhe abuzimin e policisë.

Në Minneapolis, një stacion policie dhe shumë biznese u dogjën gjatë disa netëve të trazirave.

Pengesat në gjyq

Ekspertët ligjorë thanë se marrëveshja mund ta bëjë edhe më të vështirë vendosjen e një jurie të paanshme në çështjen kundër Chauvin-it, e cila tashmë ishte një sfidë për shkak të vëmendjes së dhënë për vdekjen e Floyd dhe demonstratave intensive që pasuan.

Pagesa e madhe ishte një shenjë e madhësisë së përgjigjes ndaj vdekjes së Floyd-it, që shkaktoi aq shumë protesta në mbarë botën.

Dy vite më parë, Minneapolis pranoi të paguante 20 milionë dollarë familjes së Justine Ruszczyk, një instruktor i yogës, i cili u qëllua për vdekje nga Mohamed Noor, një oficer policie somalez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore