Shqipëria

250 mijë qytetarë kanë mbyllur procesin e vaksinimit


Që prej fillimit të vaksinimit masiv në Shqipëri, procesin e plotë, me marrjen e të dyja dozave, e kanë përfunduar 250 mijë qytetarë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ndërkohë, marrjen e një doze, e kanë përfunduar mbi 736 mijë qytetarë.

Pjesa kryesore e tyre janë të moshuarit mbi 65 vjeç. Ndërkohë, procesin e vaksinimit e kanë filluar edhe punonjësit e transportit publik.

Këta të fundit, bëjnë pjesë në grupet e riskut, për shkak të kontaktit të lartë që kanë me njerëzit.

Disa grupe janë vaksinuar ose janë në proces. Ndër ta, policët, arsimtarët, gazetarët, operatorët turistikë dhe punonjësit e fasonerive.

Vaksinat vijojnë të vijnë në mënyrë të përjavshme në Shqipëri. Rreth 440 mijë doza nga Sinovac pritet të vijnë deri në fund të muajit Gusht. Doza të tjera nga kontrata me Pfizer gjithashtu. Këtu përfshihen edhe donacionet e ardhura nga Bashkimi Evropian, si gjest i Qeverisë së Austrisë ndaj Ballkanit Perëndimor.

Dozat e AstraZeneca-s vijojnë të mbërrijnë me mekanizmin Covax. Me Sputnik V ndërkaq, vijnë doza në mënyrë të rregullt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore