Shqipëria

25-vjetori i krijimit të Batalionit të Forcave Speciale/ I dhanë dinjitet Shqipërisë në NATO, thotë Begaj


Në Repartin e Zall Herrit është kremtuar 25-vjetori i krijimit të Batalionit të Forcave Speciale, pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka thënë se “ky Batalion ishte përpjekja e parë për t’u bërë asokohe pjesë e Aleancës më të suksesshme ushtarake në Botë dhe rezultoi me sukses”.

Sipas presidentit, roli dhe kontributi i forcave të armatosura në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë është i një rëndësie të jashtëzakonshme. “Prandaj investimi te ju, është investim direkt te siguria e vendit, tek e ardhmja jonë e përbashkët”.

“Kudo ku keni shërbyer jashtë vendit, në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Irak dhe Afganistan, apo brenda vendit në ndihmë të popullsisë gjatë emergjencave civile, ju e keni lartësuar emrin e Shqipërisë si anëtare e denjë e NATO-s dhe emrat tuaj si profesionistë në vijën e parë të sigurisë”, ka ravijëzuar Begaj.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, vlerësoi arritjet e këtij Batalioni, që sipas tij tashmë është i mirëpajisur me mjete moderne dhe që mbart me vete një eksperiencën në operacione ushtarake jo vetëm brenda vendit tonë, por edhe në misionet e NATO-s, BE e Kombeve të bashkuara jashtë vendit.

Sipas tij, “ky rrugëtim ka pasur shumë djersë, shumë mund, shumë sakrifica por në thelb ka qëndruar dashuria juaj për Atdheun, dashuria për flamurin, vetmohimi”.

“Ky është thelbi që e ka bërë këtë Batalion të jetë sot modern, i ndërveprueshëm dhe dinjitoz krahas aleatëve tanë të NATO-s”, ka shtuar ai.

Për Peleshin, stërvitja më e madhe në Ballkan e Forcave Speciale  “Strong Balkan 2023” që do të organizohet në vendin tonë është tregues i qartë i pjekurisë dhe arritjeve që ky Batalion së bashku me kompanitë e tjera të Regjimentit kanë arritur në vite.

“Ne jemi të vendosur që ta mbajmë elitare këtë forcë, të investojmë më tepër, ta bëjmë atë më atraktive, ta rritim në numër, të rritim shpërblimin jo vetëm material,  por edhe atë moral, duke rritur prestigjin e saj”, ka shtuar Peleshi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore