Bota

24 milionë të vaksinuar në SHBA


Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë administruar thuajse 30 milionë doza të vaksinës ndaj Covid-19. Në numër njerëzish, mbi 24 milionë qytetarë, kanë marrë së paku njërën nga dy dozat e nevojshme.

Lajmin e ka bërë të ditur Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA. Sipas raportimeve, Amerika ka përdorur thuajse 60% të vaksinave që kishte në dispozicion.

Për të qenë tërësisht i mbrojtur, duhen marrë dy doza vaksinash. Për këtë fakt, vetëm 5.25 milionë amerikanë e kanë përfunduar procesin e vaksinimit. Rreth 19 milionë të tjerë ndërkaq, kanë marrë dozën e parë.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka deklaruar se me ardhjen e tij në detyrë, asnjë vaksinë nuk do të mbahet në stok. Plani i tij për 100 ditët e para, është vaksinimi i 100 milionë amerikanëve.

Probleme janë hasur me shpërndarjen e vaksinave nga kompanitë Pfizer dhe Moderna. Fluksi i kërkesa ka qenë tejet i lartë. Ngërç me shpërndarjen ka pasur edhe në Evropë.

SHBA-ja ka momentalisht rreth 20 milionë doza të pa përdorura në stok. Biden-i ka deklaruar se 200 milionë doza të tjera pritet të vijnë në faza të ndryshme deri në fund të verës. Shtetet amerikane ndërkohë, kanë 72 orë kohë për të publikuar raportet mbi të dhënat e vaksinimit. Kjo do të thotë se shifrat e vërteta të vaksinimit mund të jenë më të larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore