Sport

Gjilani fiton në derbin e sherrit, rikthehet në luftë për titull


Një derbi i zjarrtë u zhvillua në Prishtinë, mes Dritës dhe Gjilanit.

Dy skuadrat e Gjilanit vinin në këtë ndeshje me synim fitoren, por për qëllime të ndryshme.

Drita në cilësinë e vendasve, kërkonte fitoren për të vazhduar në krye, kurse Gjilani rikthimin pas fillimit jo shumë pozitiv.

Pjesa e parë i takoi Dritës, për kah posedimi.

Raste të pastra për shënim nuk kishin asnjëra, me 45 minutat e para që vunë në pah mbrojtjet solide që kanë dy skuadrat e qytetit të Gjilanit.

Në mesin e pjesës së parë, ndodhi një incident që pa dy tifozeritë të përlesheshin me njëra-tjetrën.

Kjo shtyu fillimin e pjesës së dytë me të paktën 40 minuta, me skuadrën e Gjilanit që refuzonte të kthehej në fushë për shkak se ndihej e pasigurt.

Mirëpo, pas 40 minutash, skuadra e Ismet Munishit vendosi që të kthehej në fushë.

Me pjesën e dytë, u shtuan edhe rastet.

Dy skuadrat luanin më hapur, në kërkim të golit që do të ngriste në festë Intelektualët ose Skifterat.

Të parët që festuan, ishin këta të fundit.

Nga goditja e dënimit, në minutën e 66-të, Gerhard Progni me shumë elegancë e dërgoi topin përtej vijës fundore.

Në minutën e 72-të, Drita mbeti me një futbollist më pak në fushë, duke ia lehtësuar punën e menaxhimit të epërsisë Gjilanit.

Në fund, në një kundërsulm të shpejt, Gjilani vulosi fitoren e madhe në derbi me golin e Shend Kelmendit.

Gjilani ngjitet në kuotën e nëntë pikëve, ndërsa Drita mbetet me 11.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore