Film

2021, vit i suksesshëm për kinematografinë kosovare


Kopertina e filmit "Zgjoi"

Ai që bëri jehonë të madhe këtë vit ishte filmi “Zgjoi”, duke rezervuar kritikat më pozitive në garat e kinematografisë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

“Pri Film Fest”, Festivali Internacional i Filmit të Tetovës, Cyrihut, Guanaluatas e Helsingut janë vetëm disa nga evenimentet e tjera në të cilat u përfshi ky film.

Madje, “Zgjoi” shkroi historinë, ndërsa u bë i pari që fitoi tri çmime në Festivalin prestigjioz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës “Sundance Film Festival”.

Filmi është i bazuar në ngjarje të vërtet dhe në fokus ka historinë e përjetimeve personale.

Sekuencë e filmit “Zgjoi” duke përgatitur ajvar

Blerta Basholli, regjisorja e këtij filmi, një hap të tillë e konsideron si hap historik për Kosovën.

“Është rast historik jo vetëm për neve por edhe për Kosovën”, është shprehur Basholli për Albanian Post.

“Zgjoi” filmi brenda të cilit luajnë aktorë të shquar, si: Yllka Gashi, Çun Lajqi, Adriana Matoshi, Aurita Agushi e të tjerë do të vazhdojë lundrimin e tij nëpër ujrat e festivaleve ndërkombëtare.

Kopertina e serialit Rrushe

Kinematografia kosovare, erdhi edhe me një tjetër prodhim, ashtu siç nuk jemi mësuar të shohim më parë, një serial dramë dhe krim –  Rrushe, është emri i cili trajton dy periudha kohore që ndërlidhen midis vete: të sotmen dhe fundin e viteve ’90.

”Rrushe” ka shpalosur një histori të papriturash që publikut kosovar i dhuruan emocione të shumta.

Valter Lucaj, regjisori i këtij seriali thotë për AlbanianPost se ky serial  është një dramë sociale, me të cilën shoqëria kosovare përballet çdo dit.

“Është dramë sociale që ka edhe krim, dicka që na ballafaqohemi cdo dit. Trajtojmë depresionin, raportin e prindërve me fëmijë, trajtojmë gjithçka”, ka thënë Lucaj për AP.

 Teatri

Komedia “Swiss Connection”, e dramaturgut të njohur Jeton Neziraj, ka pasur premierën botërore në shtator të këtij viti, në teatrin Winkleëiese në Zurich, të Zvicrës.

Me regji të Manuel Bürgin dhe aktorë: Aurita Agushi, Nina Mariel Kohler, Adrian Morina dhe Christoph Rath, kjo komedi krimi flet për një grup idealistësh, të cilët në vitet 90-ta, nga nëntoka e Zvicrës planifikuan çlirimin e Kosovës dhe krijuan aleancë ushtarake me NATO-n.

Adrian Morina dhe Nina Mariel Kohler gjatë provave të shfaqjes “Swiss Connection”.

Një projekt ky ndërmjet katër teatrove bashkëprodhuese nga Serbia, Kosova dhe Zvicra.

Jeton Neziraj, në këtë shfaqje zbulon botën misterioze të kësaj lëvizjeje çlirimtare dhe bashkon neutralitetin zviceran me bombat që eksplodojnë, dhurimin e milionave për çështjen dhe planifikimin “symbyllurazi” të luftës.

“Projekti u krijua në kuadër të bashkëpunimit të financuar nga Pro Helvetia, me titullin artistik ‘The Albanians, the Hungarians, the Serbs, the Swiss and some other little Details OR: Where is Home?’”, shpjegon Neziraj për Albanian Post.

Një tjetër bashkëpunim i Nezirajt, në nëntor të këtij viti, ishte edhe ai me teatrin La MaMa të New York-ut.

Ata kanë sjell shfaqjen teatrale Balkan Bordello, e cila fillimisht është inskenuar në skenën kosovare në fillim të nëntorit, për të nisur me turne nëpër vende të rajonit, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, për të vazhduar më pas në teatrot amerikane.

Në lidhje me shfaqjen Balkan Bordello, Neziraj fillimisht ka treguar se bazën e saj e gjen në “trilogjinë ‘Oresteia’ të Eskilit”, dhe se si shfaqje ajo në vitin 2014 kishte qenë e “kominisionuar nga Teatri Kombëtar i Malit të Zi dhe atje është inskenuar në vitin 2014, me titullin o.REST.es IN PEACE, një titull i komplikuar që mund ta lexoje në dy mënyra”.

Kopertina: Balkan Bordello

Por megjithatë, Neziraj thotë se për shkak të vështirësisë së leximit të këtij titulli, drejtori asokohe i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi, propozoi t’i ndryshonin emërtimin.

“Kështu që, erdhëm deri te titulli ‘Bordel Ballkan’”, shpjegon Jeton Neziraj.

“Për inskenimin në Prishtinë shtova edhe një skenë dhe bëra disa intervenime të vogla, duke përfshirë edhe disa shkurtime, sepse, në formën siç është e shkruar, drama është mjaft e gjatë – ndoshta për një shfaqje 3 orëshe”, thotë ai.

Neziraj tregon se, pas dy inskenimeve që kjo dramë ka pasur në Ballkan, ajo është inskenuar në Amerikë, përkatësisht nga teatri La MaMa në New York, që është edhe njëri ndër teatrot më të famshëm në botë.

“Regjinë e saj e ka bërë Blerta Neziraj, kurse kasta e aktorëve është përbërë nga dhjetë aktorë nga Amerika, Kosova e Serbia”, është shprehur Neziraj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore