Shqipëria

2% më pak nxënës të regjistruar në shkolla gjatë vitit shkollor 2021-2022 në Shqipëri


Për vitin shkollor 2021-2022, numri i nxënësve të regjistruar në arsimin zyrtar në Shqipëri ka qenë dy për qind më i ulët nga pararendësi.

Numri i atyre të regjistruar në arsimin zyrtar ka qenë 577 mijë e 869, sipas Institutit të Statistikave (INSTAT).

Referuar niveleve arsimore, struktura e pjesëmarrjes në arsimin zyrtar është thuajse e njëjtë, gjatë tre viteve të fundit shkollor ose akademik.

Struktura e nxënësve dhe studentëve të regjistruar në arsim sipas niveleve arsimore, 2021-22

Në vitin shkollor 2021-2022 janë regjistruar në arsimin parauniversitar 453 mijë e 989 nxënës dhe fëmijë.

Kjo ka shënuar një ulje prej 2,5 për qind, krahasuar me vitin shkollor 2020-2021.

Gjatë këtij viti shkollor, në arsimin parashkollor kanë marrë pjesë gjithsej 72 mijë e 384 fëmijë, 1,5 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Në arsimin 9-vjeçar, janë regjistruar 278 mijë e 138 nxënës, 55,4 për qind në arsimin fillor dhe 44,6 për qind në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin e kaluar shkollor rezultojnë 2,9 për qind më pak nxënës.

Atë vit, 90,3 për qind e nxënësve të arsimit 9-vjeçar u regjistruan në institucionet e arsimit publik dhe 9,7 për qind në institucionet e arsimit privat.

Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9-vjeçar, vajzat përbëjnë 47,7 për qind të totalit.

Të regjistruar nëarsimin 9 vjeçar sipas gjinisë

Sakaq, në vitin shkollor 2021-2022 janë regjistruar në arsimin e mesëm 103 mijë e 467 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,2 për qind, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Pjesën më të madhe të nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm e përbëjnë nxënësit e gjimnazit dhe të arsimit të mesëm social-kulturor prej 82,3 për qind. Ky proporcion ka mbetur pothuaj në të njëjtin nivel përgjatë tre viteve të fundit.

Pjesa më e madhe e nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm ndjek arsimin në institucionet arsimore publike, 86,6 për qind e tyre.

Të regjistruar në arsimin e mesëm

Numri i mësuesve në arsimin 9-vjeçar, në vitin shkollor 2021-2022, rezulton 24 mijë e 400, ndër të cilët 76,7 për qind janë vajza.

Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 16,1 dhe në atë privat është 14,6. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9-vjeçar, raporti është 8,5 dhe në atë privat 7,3.

Numri i mësuesve në arsimin e mesëm është 8 mijë e 658 prej të cilëve 69,2 për qind janë femra.

Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm është 12,8 në arsimin publik dhe 8,3 në atë privat.

Raporti nxënës për mësues në arsimin zyrtar parauniversitar, 2021-22

Arsimi i lartë

Në vitin akademik 2021-2022, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 123 mijë e 880 studentë, duke shënuar një rritje prej 0,1 për qind krahasuar me pararendësin.

Studentët që marrin pjesë në arsimin e lartë publik përbëjnë 76,3 për qind të numrit total të studentëve.

Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2021-2022, marrin pjesë 73 mijë e 493 studente femra, ose 59,3 për qind e numrit të përgjithshëm të studentëve në arsimin e lartë.

Kurse në programet Bachelor, për të njëjtën periudhë, kanë marrë pjesë në arsimin e lartë 72 mijë e 852 studentë, duke shënuar një ulje prej 2,1 për qind krahasuar me periudhën 2020-2021.

Në të dyja periudhat, studentët kanë parapëlqyer fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit të studentëve.

Ndërsa fusha më pak e preferuar është “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” ku janë të regjistruar vetëm 2,2 për qind e numrit total të studentëve.

Analizuar për secilën fushë studimi, krahasuar me vitin e kaluar akademik, është vërejtur ulje e numrit të studentëve që ndjekin arsimin e lartë në fushat “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” me 19,9 për qind dhe “Arte dhe shkenca humane” me 13,1 për qind.

Nga ana tjetër, fushat “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” dhe “Shëndet dhe mirëqenie” paraqesin rritje të numrit të studentëve me përkatësisht 9,8 për qind dhe 4,4 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore