Lajme

18-vjeçari qëllon për vdekje 10 persona në New York, policia dyshon për motivet racore


Dhjetë persona mbeten të vdekur nga sulmi me armë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, New York.

Sipas Policisë ngjarja po hetohet si një krim urrejtjeje me motive racore.

Një 18-vjeçar i veshur me veshje ushtarake u arrestua pas një përplasjeje në vendin e ngjarjes në qytetin e Buffalo-s.

I dyshuari hyri në një supermarket të shtunën pasdite përpara se të hapte zjarr.

“Ai përdori një kamerë për të transmetuar sulmin në internet”, tha policia.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, dënoi atë që ai e quajti një sulm “të neveritshëm”.

“Ne po hetojmë këtë incident si një krim urrejtjeje dhe një rast të ekstremizmit të dhunshëm me motive racore”, tha në një konferencë shtypi Stephen Belongia, agjenti përgjegjës i zyrës së FBI-së në Buffalo.

I dyshuari besohet se ka vozitur për disa orë për të arritur në zonë.

“Trembëdhjetë njerëz u qëlluan në total dhe shumica e viktimave ishin me ngjyrë”, tha komisioneri i policisë së Buffalo Joseph Gramaglia.

Duke folur për CBS, një burim policor pretendoi se burri kishte bërtitur sharje racore gjatë të shtënave.

Ai tha se i dyshuari e ka dorëzuar armën pas një përplasjeje të tensionuar dhe është dërguar në burg.

Tre viktimat e plagosur – të cilët punonin të gjithë në supermarket – nuk kanë pësuar lëndime të rrezikshme për jetën.

Një oficer policie në pension, i cili punonte si roje sigurie u përpoq të qëllonte të dyshuarin, por ishte në mesin e të vrarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore