Shqipëria

17 milionë dollarë për ushtrinë shqiptare nga SHBA-të


Për të fuqizuar kapacitetet e ushtrisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës “i kanë dhuruar Shqipërisë 17 milionë dollarë”.

Kështu ka bërë me dije shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneral Major, Bajram Begaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ai ka treguar se, gjatë takimit që ka mbajtur këtë javë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane, Gjeneralin Mark Milley, kanë diskutuar për bashkëpunimin mes dy shteteve.

Ndër të tjera, Gjeneral Major Begaj tha se kanë diskutuar edhe për luftën në Ukrainë.

“Shteti amerikan ka akorduar një buxhet grant prej 17 milionë dollarësh për të rritur fuqinë mbrojtëse të forcave të armatosura dhe për të rritur kapacitetet mbrojtëse”, ka zbuluar ai.

Gjithashtu, ka theksuar se “çdo buxhet i modernizimit të Forcave të Armatosura Shqiptare shkon për të rritur aftësitë mbrojtëse”.

“Nuk kemi asnjë synim për agresion, apo për t’i shpallur luftë dikujt. Jemi thjesht në atë çfarë kërkonte NATO si aleancë, që të bëjmë mbrojtje dhe shkurajim për çdo armik, apo për çdo kundërshtar”, ka sqaruar Begaj.

Më herët, është bërë me dije se Shqipëria ka blerë sisteme raketash Javelin nga kompania amerikane, Lockheed Martin.

Por Gjeneral Majori Begaj nuk ka thënë se sa raketa kundërajrore janë blerë. Thjesht, këto armë “do të rrisin fuqinë tonë mbrojtëse kundërajrore”.

Nga ana tjetër, ai ka folur për planet e Shqipërisë për të blerë helikopterë Black Hawk.

“Në rritjen e kapaciteteve të forcës ajrore futet jo vetëm radari, por edhe pajisja me mjete luftarake, siç janë Black Hawk. Besoj se vitin tjetër Shqipëria do t’i ketë dy Black Hawk-ët e parë në vend”, ka thënë ai.

Po ashtu ka shtuar se rritja e kapaciteteve të forcës ajrore nuk do të bëhet vetëm me fondet e SHBA-ve, por edhe përmes buxhetit të Shqipërisë.

Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria është një nga shtetet ku është vendosur një shtab i Forcave Speciale Amerikane në Evropë.

Sipas Begajt, prania e këtij shtabi do të ndihmojë në këshillimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore