Shqipëria

15 vjet në NATO/ Peleshi: Përkushtimi ndaj vlerave euroatlantike do të mbetet i pandryshuar


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka theksuar edhe njëherë se përkushtimi i Shqipërisë ndaj vlerave euroatlantike do të mbetet i pandryshuar.

Këtë mesazh, ai e ka përcjellë në kuadër të 15 vjetorit të Shqipërisë në NATO.

“Krenarë që jemi pjesë e kësaj historie. Përkushtimi ynë ndaj vlerave euroatlantike do të vazhdojë të mbetet i pandryshuar”.

Ai ka thënë se 15 vjet më parë Shqipëria u bë zyrtarisht anëtare me të drejta të plota e Aleancës më të fortë politiko-ushtarake të NATO-s.

“Në këtë përvjetor ajo qëndron e palëkundur në misionin e saj krah SHBA dhe aleatëve e partnerëve të saj, në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Botë”, ka vijuar ai.

Me pjesëmarrjen e efektivëve më të mirë të Forcave të Armatosura në misionet ndërkombëtare, sipas tij, Shqipëria i është bashkuar përpjekjeve të Aleancës për të përballuar sfidat e sigurisë, duke u vlerësuar si një aleate dinjitoze e NATO-s.

“Në përmbushje të detyrimeve ndaj Aleancës Shqipëria ka rritur ndjeshëm mbështetjen buxhetore për mbrojtjen, duke arritur objektivin 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërsa vijon modernizimi dhe rritja e kapaciteteve brenda Forcave të Armatosura. Investimet në kapacitete dhe në teknologjinë moderne tregojnë se vendi ynë çdo ditë e më shumë po ndërton një forcë solide ushtarake për mbrojtjen e Atdheut dhe përballjen me sukses të sfidave të së ardhmes”.

Ai ka vijuar duke treguar se më 4 mars 2024 u inaugurua baza taktike ajrore e NATO-s në Kuçovë, e cila do të jetë në funksion të misioneve të NATO-s, si pika e vetme strategjike e Aleancës në Ballkanin Perëndimor, “duke bërë që Shqipëria të marrë më shumë përgjegjësi për paqen dhe sigurinë në rajon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore