Lajme

140 të paraqitur si viktima, qindra të tjerë si dëshmitarë dhe dhjetëra akuza – Sot nis Gjykimi Special për Thaçin dhe të tjerët


312 dëshmitarë pritet të dëshmojnë kundër ish themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi,  Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, tri vjet pas arrestimit të tyre si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerizimit.

Procesi gjyqësor përfundimisht do të nis këtë të hënë në ora 9:00.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës thuhet se është planifikuar që deklaratat hyrëse të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit.

Fillimisht Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të bëjë deklaratën hyrëse dhe për këtë ka paralajmëruar se i duhen më së tepërmi 5 orë, po ashtu edhe mbrojtësi i viktimave në këtë rast ka planifikuar deklaratën e tij që do të zgjasë 45 minuta.

Pas mbrojtësit të viktimave, është planifikuar që deklaratat hyrëse të bëjnë secili prej katër ekipeve të mbrojtjes.

Këto deklarata do të bëhen më 4 prill. Në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve janë pranuar si viktima në procesin gjyqësor 140 persona. Paraqitja e provave do të nis më 11 prill.

Në njoftim theksohet se secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime të pretenduara kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Megjithëkëtë, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për çdo pikë të aktakuzës.

Shfajësimi i krerëve të UÇK-së sipas raportit të CIA-s

Në një raport të CIA-së të cilin e kishte publikuar Albanian Post vitin e kaluar, shfajësoheshin ish-krerët e UÇK-së nga akuzuat të cilat rëndojnë mbi ta.

Ky dokument, por edhe shumë të tjerë janë publikuar në një dokumentar të prodhuar nga Albanian Post.

Dokumentari kishte zbuluar se si Prokuroria e Specializuar e Gjykatës Speciale ka mbajtur dokumente të fshehta ndaj trupit gjykues, të cilat përbëjnë prova shfajësuese ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Si ia dorëzoi Serbia Dick Marty-t në Banhof të Zvicrës dosjet kundër UÇK-së?

Kredibiliteti i Gjykatës Speciale

Kryetar i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një intervistë të tij, pasi kishte udhëtuar për një vizitë të të burgosurve në Hagë, kishte deklaruar se ka kohë që po e mendon se si mund të interferohet – pa e cenuar procesin gjyqësor – që Gjykata Speciale të jetë më transparente në punën e saj.

Pas vizitës që i kishte bërë ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, vitin e kaluar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Konjufca, ka kërkuar që të themelohet një mekanizëm që do ta monitoronte punën e Gjykatës Speciale.

Për mekanizimin e përfolur që supozohet se do ta monitoronte punën e Gjykatës Speciale, të cilin Ministria e Drejtësisë së Kosovës e ka përmendur, është biseduar edhe në takimin e 22 shtatorit të vitit të kaluar mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Kësaj të fundit, gjatë vizitës pompoze në Prishtinë, i është bërë e qartë se ky organ do të themelohet, edhe pse për Specialen një mekanizim i tillë nuk është i nevojshëm, pasi mendojnë se “gjyqtarët nuk duhet të jenë të kontrolluar”.

Konjufca pas kthimit nga Haga: I takova që të gjithë, Specialja ka nevojë për një mekanizëm kontrolli

Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, zyra për media e ministrisë së Drejtësisë kanë njoftuar se ideja e këtij mekanizmi kishte rrjedhur pas vizitave të realizuara në Hagë, “në të cilat vizita ishte evidentuar mungesa e një monitorimi nëse respektohen të drejtat e personave që mbahen atje, në përputhje me të drejtat e njeriut dhe standardet ndërkombëtare apo jo”.

“Dhe mbi këtë bazë, është diskutuar mundësia e një mekanizmi i cili do të monitoronte këtë aspekt”, thuhet në përgjigje.

Bisedën e Haxhiut e Trëndafilovës për mekanizimin e kishin konfirmuar edhe nga Gjykata Speciale, ndonëse nuk kanë dhënë shumë detaje.

“Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe presidentja Trëndafilova diskutuan për një sërë çështjesh, duke përfshirë procedurat publike në vazhdim dhe punën e gjykatës, të drejtat e të akuzuarve dhe viktimave gjatë procedurës, rolin e Avokatit të Popullit si dhe bashkëpunimin”, thuhet në përgjigjen e Speciales për AP.

Anomalitë e Speciales janë theksuar edhe nga ekspertë të drejtësisë, vendorë dhe ndërkombëtarë.

Exclusive/ Interview with the President of the Special Court, Ekaterina Trendafilova: We conducted a survey, the majority of Kosovars believe the Special Court to be fair – we are an open and transparent court

Mbështetje masive ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Me mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova zbarkuan të dielën në Prishtinë nga secila lagje e secili fshat me kërkesën e vetme: drejtësi për krerët e UÇK-së që po akuzohen në Hagë të Holandës për krime të pretenduar lufte.

Akoma nuk ka shifra zyrtare, por për nga masiviteti i pjesëmarrjes, marshi i organizuar nga platforma “Liria ka Emër” dhe i përkrahur nga partitë politike, nismat qytetare, organizatat e shoqërisë civile, duhet të jetë një nga organizimet me pjesëmarrjen më të madhe qysh nga paslufta.

Kolonat e njerëzve ishin grumbulluar nga Sheshi “Zahir Pajaziti”, te sheshi “Nënë Tereza” e deri te sheshet “Skënderbeu” e “Ibrahim Rugova”.

“Si çdo herë, ne presim me qenë të lirë, të drejtë, por Evropa është ajo që ka qenë më herët”, thotë një qytetar që ka ardhur nga Suhareka për t’iu bashkëngjitur thirrjes së platformës “Liria ka emër”, që për nga pjesëmarrja duhet të jetë një nga organizimet me pjesëmarrjen më të madhe qysh nga paslufta.

“Mos të gjykohen vetëm shqiptarët. Mos të ketë gjykim selektiv për shqiptarët. Për këtë edhe marshuam, që të jemi sa më korrekt me drejtësinë. Ata le të kthehen në vendin e vet sepse nuk kanë bërë krime. Të gjykohet ata që kanë bërë krime”, thotë nën emocione një tjetër qytetar.

Pse morën pjesë në marsh? – Përgjigjet emocionuese të pjesëmarrësve – “presim drejtësi, i frikësohemi të kundërtës”

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore