Përballje

14 gushti, dita kur grushtet britanike do të tronditin tokën arabe


Tyson Fury ka bërë me dije se dueli i tij me Anthony Joshua-n do të zhvillohet më 14 gusht në Arabinë Saudite.

Dueli tërësisht britanik është një ndër duelet më të forta të boksit ndonjëherë, me fituesin që do të emërohet si kampion i padiskutueshëm.

Joshua, 31-vjeçar, është kampion i rripave të WBA, WBO dhe IBF, kurse Fury, 32-vjeçar, është kampion i WBC.

Dueli do të shohë të gjithë katër rripat e peshave të rënda në linjë për herë të parë në histori.

Kampioni i fundit i padiskutueshëm i këtyre peshave ishte britanezi Lennox Lewis nga viti 1999 deri në vitin 2000.

Por, boksierët atë botë nuk kishin nevojë për rripin WBO që të konsideroheshin të padisktueshëm.

Nëpërmjet Twitter-it, Fury zyrtarizoi duelin.

“Sytë e gjithë botës do të jenë të kthyera te Mbretëria e Arabisë Saudite. Unë mezi po pres ta shkatërroj Joshua-n në eventin më të madh të të gjitha kohërave”.

“Ky do të jetë eventi sportiv më i madh në histori të planetit tokë. Mos e humbisni”, tha Fury.

Planet për dyluftimin e tyre filluan kur Fury triumfoi përballë Deontay Wilder për të marrë titullin e WBC, shkurtin e kaluar.

Kjo fitore erdhi dy muaj pasi Joshua mposhti Andy Ruiz në duelin e tyre të dytë.

Tani, dy boksierët, bëhen gati për duelin, nga i cili do t’i kthejë sytë e gjithë bota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore