Sport

Surprizë në Formula 1, Esteban Ocon nënshkruan kontratë të re me Alpine


Kontratat afatgjate rrallë nënshkruhen në Formula 1, sidomos kur je pjesë e skuadrave që nuk luftojnë për titull.

Por, një gjë të tillë e ka bërë Esteban Ocon më Alpine-n, që është skuadër pasardhëse e makinës legjendare franceze, Renault.

Ocon, që ishte një ndër emrat më të përfolur për t’u ulur në njërin Mercedes pas largimit të dyshes Hamilton – Bottas, ka befasuar shumë me këtë vendim.

Ai ka nënshkruar një kontratë të re me Alpine-n, deri në vitin 2024.

Për herë të parë, të paktën në dekadën e fundit, një kontratë po ndodh kështu, në mënyrë të papritur.

Pa asnjë paralajmërim në media, ose asnjë zë nëpër portalet e ndryshme të Formula 1.

Një komunikatë zyrtare përmes Twitter-it, konfirmoi rinovimin e Ocon me Alpine.

“Alpine F1 team janë shumë të lumtur të konfirmojnë që Esteban Ocon do të vazhdojë me skuadrën edhe pas vitit 2021, duke arritur një marrëveshje për tre vitet e ardhshme”.

Ocon për momentin është i dhjeti në klasifikimin e Formula 1.

Në pothuajse çdo garë këtë vit, ai ka kaluar pritshmëritë duke përfunduar në zonën e pikëve, para shokut të tij të skuadrës, veteranit Fernando Alonso.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore