Shqipëria

100 mijë paundë për azilant – Britanikët mendojnë se janë mjaftueshëm


Jo një herë, por dy të tilla, media ndër më të mëdhatë në Britaninë e Madhe, i kanë kushtuar kryetitujt e faqeve të tyre të para, një lajmi se ministrat britanikë dhe ata shqiptarë, janë pranë një marrëveshjeje për transferimin e azilantëve të padëshiruar nga vendi ishullor, në Shqipëri.

Aq, sa madje do të kishte një pagesë prej 100 mijë paundësh për mbulimin e shpenzimeve të një azilanti, për të cilët pretendohet se do të depërtohen në një kamp të ngritur në tokë shqiptare.

Mbi këtë fakt, një media e madhe britanike, GB News, ka pyetur ndjekësit e saj në Twitter (mbi 300 mijë), nëse mendojnë se kjo shumë e justifikon “shërbimin”.

Dhe përgjigja e tyre, është në shumicë një “Po”.

Nga thuajse 5 mijë përgjigje, 58% e tyre, janë pozitive mbi shtrimin e pyetjes. 42% i mbetur, është kundër.

Por, ato çfarë janë edhe më qesharakë, përtej faktit se nga Shqipëria është mohuar i gjithë diskursi britanik, janë komentet e bëra në postim.

“Shpresoj të mos jetë për person shuma”, shkruan një komentues.

Një tjetër, e shtron çështjen në terma më idealistë. “Të shesësh njerëz! Mendova se kjo gjë kishte ndaluar qindra vite më parë”.

“58% janë të lumtur të shpenzojmë 100 milionë paundë në ditë, bazuar në 1 mijë azilantë në ditë”, shkruan një tjetër. “Johnson dhe Brexit nuk funksionuan?”, ironizon një tjetër.

Boris Johnson gjatë fushatës Brexit

Përtej faktit se çështja është shtruar në Twitter, ajo ka marrë sens shumë serioz gjerësisht. Nuk është për t’u nënvlerësuar fakti se miliarderi Elon Musk, pasi shtroi në publik pyetjen nëse duhet të shiste aksione të Tesla-s dhe mori përgjigje pozitive, shiti realisht rreth 7 miliardë dollarë aksione.

Por çështja momentalisht, mbetet hipotetike.

Pse?

Rreth dy muaj më parë, ka qenë britanikja “The Sun”, ajo e cila bëri publik një lajm të tillë. Ndërsa gjatë kësaj jave, ka qenë tabloidi “The Times”, ai që e vijoi historinë, duke bërë publike edhe “gjobën” që Qeveria shqiptare, do të kërkonte në këmbim.

Kryefaqja e tabloidit “The Times mbi deportimin e azilantëve

Nga kjo e fundit nga ana tjetër, ka pasur vetëm mohim mbi këtë situatë të krijuar.

Ministrja Olta Xhaçka, ishte e para, e cila e përgënjeshtroi sërish lajmin. Madje, duke qenë se “The Times” i ishte referuar si “ai” dhe jo “ajo”, Xhaçka ironizoi duke thënë se “ndihet shumë krenare që është ‘ajo’ dhe ndihej e keqardhur për nivelin e gazetarisë që po shihte në media prestigjioze si ‘The Times’”.

Edhe vetë kryeministri Edi Rama, e përgënjeshtroi kategorikisht lajmin, siç ka bërë edhe më parë. Ai tha se Shqipëria, nuk do të marrë asnjëherë refugjatë prej vendeve më të varfra.

Ndërsa redaksia e Albanian Post, prej javësh është në kontakt me institucionet britanike, por një përgjigje konkrete prej tyre, nuk ka ardhur. Çështje as nuk është pohuar, as nuk është mohuar.

E sakaq, debati, konstruktiv ose jo, i ka kaluar Twitter-it, ku batutat në postime, apo edhe komentet serioze, nuk rreshtin.

Ndërsa çështja e vërtetë, nuk duket të jetë ajo me Shqipërinë, por ajo me Francën.

Ashtu si shkruan edhe një komentues: “100 mijë paundët Shqipërisë, janë më mirë se 50 milionët e paguara ndaj Francës, për zero kthime”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore