Lajme

10 vjet nga konflikti në Siri, BE-ja mesazh mbështetës


Viti 2021 përkon me 10-vjetorin e fillimi të konfliktit në Siri.

“10 vjet vuajtje e papërshkrueshme, mes vështirësive dhe vajtimit të miliona qytetarëve”, shkruhet në një postim në Twitter të Komisionit Evropian.

“Bashkimi Evropian është pranë qytetarëve sirianë. Do të vazhdojmë të japim ndihma emergjente ndaj njerëzve me nevoja urgjente”.

Në videon e publikuar ndërkohë, shfaqen disa fëmijë, të cilët kanë përjetuar gjithë konfliktin. Fëmijëria e tyre është shënjuar nga kjo ngjarje e rëndë në Lindjen e Mesme.

“Kam qenë vetëm pesë vjeç kur konflikti filloi”, rrëfen një prej tyre. “Kur hapa sytë, rreth meje kishte bombardime. Shtëpitë tona ishin shkatërruar. Asnjë banesë nuk qëndronte më në këmbë”.

“Ishim në shkollë dhe kishte shumë bombardime ajrore”, vazhdon rrëfimi. “Mësuesit na jepnin një ose dy orë mësim. Më pas na linim të shkonim. Kishim frikë për jetën tonë për shkak të bombardimeve”.

Një tjetër djalë, thotë se shkonin në shkollë “vetëm 10 ditë në muaj”. “Kur bombardimet u shtuan dhe iu afruan zonës tonë, u shpërngulëm dhe ikëm në një kamp”.

Një vajzë rrëfen se “i ati iu vra gjatë fillimit të konfliktit”. “Mamaja dhe vëllezërit e mi qëndrojmë në një tendë. Në dimër bën ftohtë dhe uji futet brenda tendave”.

Video përmbyllet me ëndrrat e fëmijëve. Ndër to, dëshira më e madhe, është rikthimi në normalitet.

“Duam të kthehemi në qytetet tona, në shkollë. Duam të luajmë me shokët tanë”.

Konflikti në Siri është tashmë prej dhjetë vjetësh aktiv. Të përfshirë janë Qeveria, opozita dhe Shteti Islamik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore