Lajme

10 të lënduar nga shpërthimi i zjarrit në Ferizaj


Zjarri në objektin banesor në Ferizaj.

10 persona kanë mbetur të lënduar për shkak të zjarrit që ka ndodhur në një objekt banesor në Ferizaj, të dielën.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënsi i Policisë, Kanun Veseli, për rajonin e Ferizajit.

“Me datë 11.02.2024 rreth orës 22:28 kemi pranuar një informatë se në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj tek një objekt banesor është një incident zjarri. Ekipe të policisë, zjarrfikësit dhe ekipe të emergjencave kanë dalë në vendin e ngjarjes”.

“Për pasojë e këtij incidenti të zjarrit, ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente kanë kërkuar 10 persona, ndërsa prej tyre 5 persona për tretman të mëtutjeshëm janë transportuar në QKUK– Prishtinë”, ka deklaruar Veseli.

Ai tutje ka thënë se policia ka marrë veprimet e nevojshme, duke i evakuar banorët për shkak të tymit të krijuar.

Ndërsa, ka sqaruar mënyrën se si ka shpërthyer zjarri në këtë ndërtesë.

“Zjarri dyshohet se ka filluar tek njehsorët elektrikë të kësaj ndërtese, ndërsa janë njoftuar edhe ekipe të KEDS të cilët kanë dalë gjithashtu në vendin e ngjarjes”.

Veseli, pohoi se njësia e hetimeve në koordinim me prokurorin kujdestar ka filluar hetimet se si ka ardhur deri te ky incident dhe se për informata shtesë do të njoftojnë më pas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore