Ekonomi

10 miliarderët më të pasur mund të sigurojnë vaksina për të gjithë botën


Pasuria e kombinuar e 10 personave shënoi rritje  gjatë pandemisë me 540 miliardë dollarë, sipas të dhënave të organizatës jofitimprurëse,  Oxfam.

Kjo shumë do të ishte e mjaftueshme për të parandaluar varfërinë e shkaktuar nga COVID-19, dhe për të paguar  një vaksinë për të gjithë.

Raporti  zbuloi se pasuria totale e miliarderëve ishte ekuivalente me të gjithë shpenzimet nga të gjitha qeveritë e G20-ës  për t’u rikuperuar nga virusi.

Raporti “Inequality Virus” u publikua ndërkohë që udhëheqësit globalë po mblidheshin për të zhvilluar  mbledhjen e përvitshme të Dialogut të Davos-it për Forumin Ekonomik Botëror.

Mbështetja e pashembullt e qeverive  për ekonomitë e vendeve të tyre  çoi në lulëzimin e tregut të aksioneve.  Kjo rriti  pasurinë e miliarderëve, ndërkohë ekonomia reale po përballej me recesionin më të thellë të shekullit.

Në të gjithë botën, pasuria e miliarderëve u rrit me 3.9 trilionë dollarë. Kjo ndodhi nga 18 marsi deri më  31 dhjetor 2020. Pasuria e miliarderëve qëndron tashmë në 11.95 trilionë dollarë.

10 njerëzit më të pasur, pasuritë e të cilëve u rritën me 540 miliardë dollarë që nga marsi i vitit 2020, përfshijmë themeluesin e Amazon-it, Jeff Bezo, themeluesin e Tesla-s,  Elon Musk dhe themeluesin e Facebook-ut, Mark Zuckerberg.

Raporti tregon  se Bezos kishte fituar aq shumë deri në shtator të 2020-ës, sa mund t’i kishte dhënë të gjithë 876 mijë punonjësve të Amazon-it një bonus prej 105 mijë dollarësh. Edhe nëse do të jepte këtë bonus, ai do të vazhdonte të ishte aq i pasur sa ishte në fillim të pandemisë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore