Kosova

Zyrtari i lartë i DASH-it në Kosovë, takohet veç me Osmanin


Todd D. Robinson

Ndihmës Sekretari për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson, do të qëndrojë për vizitë në Kosovë këtë të mërkure, ku do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani, ndërsa nuk është planifikuar takim me kryeministrin Albin Kurti, apo ndonjë zyrtar tjetër qeveritar.

Sipas njoftimit për media të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), ai do të takohet me presidenten Osmanin, si dhe me përfaqësues të sektorëve të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë.

“Nga data 20-22 mars, Ndihmës Sekretari Robinson do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe me partnerët në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Para Kosovës, Robinson ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shqipëri, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, atë të Punëve të Brendshme, Taulant Balla, e udhëheqës të institucioneve të sigurisë e drejtësisë.

Pas takimit me Ramën, ambasada e SHBA-ve në Tiranë në platformën X shkroi se ata diskutuan për bashkëpunim të fortë midis vendeve.

“Ndihmës Sekretari Todd Robinson u takua me kryeministrin Edi Rama për të nënvizuar bashkëpunimin e fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutoi rëndësinë kritike të forcimit të shtetit të së drejtës, rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe avancimin e reformës në drejtësi”, shkroi ambasada.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë Manja bëri me dije se i ka shprehur zyrtarit të lartë amerikan falënderimin për mbështetjen që shteti që ai përfaqëson ka dhënë për reformën në drejtësi dhe sundimin e ligjit.

“Mes miqve diskutohen hapur problemet, por dhe mbështetja për t’i zgjidhur ato në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë”, shkruan Manja.

Ndërsa, Balla falënderoi Ndihmës Sekretarin e Shtetit për bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese dhe programet e asistencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, INL, ICITAP dhe DEA.

“Me mbështetjen e tyre kemi përmbyllur me sukses një sërë operacionesh hetimore të përbashkëta, zhvilluar trajnime të punonjësve të policisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe kemi ngritur kapacitete në fushën e sigurisë kibernetike. Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë”, shkroi Balla.

Sipas Ballës, “hetime komplekse në bashkëpunim me SPAK apo prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në rrethe po çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje trafiqe a pastrime parash. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Interpol po punojmë çdo ditë për t’i dhënë fund të pandëshkueshmërisë, duke gjurmuar, lokalizuar dhe kapur persona në kërkim ndërkombëtar, kudo që ndodhen”.

Kush është Todd Robinson?

Nga karriera e tij e gjatë në postet që ka mbajtur, në vitin 2004 Robinson ishte shef i Seksionit Politik dhe Ekonomik në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, Shqipëri.

Dy vjet më vonë, Robinson u largua për të punuar si konsull i përgjithshëm, në Konsullatën amerikane në Barcelonë.

Fillimet e karrierës së tij diplomatike gjithsesi, Robinson i ka në 1986, kur iu bashkua Departamentit të Shtetit, me pozitat e tija të para në Kolumbi dhe në El Salvador.

Ai u kthye në Washington në vitin 1991, për të punuar si oficer në qendrën operative të Departamentit të Shtetit. Në 1993, Robinson u caktua në Romë, Itali si asistent i stafit të ambasadorit në atë kohë, Reginald Bartholomew dhe dy vjet më vonë u zhvendos në të gjithë qytetin për të punuar si oficer politik në Ambasadën në Vatikan.

Në vitin 1997, Robinson u kthye në Amerikën Latine për të punuar si oficer politik në ambasadën e La Paz-it, Bolivi, derisa u rikthye në vitin 1999 për një post si asistent special i Sekretares së atëhershme të Shtetit, Madeleine Albright. Vitin tjetër, ai u dërgua në Republikën Domenikane si zëvendës këshilltar për Çështjet Politike dhe Ekonomike.

Më pas, gjatë administratës Obama, ai u caktua si ambasador në Guatemala. Teksa nën administratën Trump, ai u caktua si i ngarkuar me punë në Venezuelë.

Por karriera e tij do të merrte një kthesë me administratën Biden, kur në prill 2021, Robinson do të caktohej si Ndihmës-Sekretar i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Forcimit të Ligjit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore