Gjykata Speciale

Zyrtari i KFOR-it në Speciale, pyetet për uniformat që mbante UÇK-ja


Dëshmitari i 54-të, Johan Fritsch.

Dëshmitari i 64-të, Johan Fritsch, ka vazhduar dëshminë të mërkurën në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku është pyetur për uniformat që mbante UÇK-ja gjatë 1998-1999.

Zyrtari i KFOR-it, deklaroi se kishte përzierje të uniformave dhe se nuk ishin të gjithë anëtarët që përdornin uniforma të njëjta.

“Po, kishte përzierje të ndryshme të uniformave të pjesshme. Kishte persona që ishin të veshur me të zeza, disa kishin të veshur me lara-lara, disa ishin të veshur me uniforma të përziera e të tjerë. Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre kishin një shenjë dalluese e që ishe shqiponja e zezë”, deklaroi ai.

I pyetur nga prokurorja Vega Iodice, për një video në të cilën thuhej se dukej një person me uniforma të zeza ai tha se “relativisht shpesh ka parë veshje të tilla”.

“Shpesh në ato ditë janë parë uniforma të tilla”, tha shkurtimisht ai, duke shtuar se “nuk jam i sigurt se cilat formacione i përdornin këto uniforma, por që mendoj se i përdorte policia ushtarake e UÇK-së”.

Sipas tij, patrullimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në rrugët e Prizrenit bëhej për shkak se dëshironi të mbushnin vakumin që ishte krijuar pasi që ushtria jugosllave ishte në largim dhe KFOR-i ishte në ardhje.

“Kur forcat e KFOR-it u futën në Kosovë, pala jugosllave duhej te tërhiqej sipas marrëveshjes nga Kosova brenda pak ditësh. Pra, forcat e KFOR-it po futeshin ne Kosovë dhe për një periudhë të shkurtër kohore ekzistoi një lloj vakumi dhe UÇK-ja donte që ta mbushte këtë vakum”.

Fritsch, ka nisur dëshminë të martën.

Ndërkaq të martën e ka përfunduar dëshminë e tij oficeri i ushtrisë Federale të Gjermanisë, Dietrich Klaus Jensch, i cili ka thënë se pa së paku një të vdekur dhe disa persona që mbaheshin në ish-ndërtesën e MUP-it, në të cilën paslufte ishte vendosur UÇK-ja.

Ai po ashtu ka deklaruar se gjatë kohës që ishte me mision në kuadër të KFOR-it në Kosovë kanë kapur persona që kanë veshur uniforma me flamuj të Gjermanisë e që kryenin vjedhje.

Ndryshe, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore