Lajme

Zyrtari i BE-së: Shkalla e plotë e ndihmës financiare për Kosovën nis kur të shtensionohet situata në Veri


Zëvendësshef i seksionit për bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Alessandro Biancardi.

Zëvendësshef i seksionit për bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Alessandro Biancardi, ka deklaruar se sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për Kosovën, do të largohen pasi Qeveria të veprojë për shtensionimin e situatës në Veri, në përputhje me rekomandimin e BE-së.

Biancardi, në konferencë të përbashkët me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka theksuar se stabiliteti politik është kyç për të siguruar prosperitetin e Kosovës.

“Situata aktuale politike na bën thirrje të gjithëve që të fokusohemi në shtensionimin e situatës në Veri. Në këtë kontekst, BE-ja ka miratuar një sërë masash për të bërë të qartë një mesazh dhe ka pezulluar dispozitën për ndihmën e re financiare për Kosovën”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky është një hap i kthyeshëm dhe se angazhimi për Kosovën do të nis atëherë kur Qeveria të filloj të zbatoj propozimet e BE-së.

“Shkalla e plotë e ndihmës financiare dhe angazhimit politik i BE-së për Kosovën, do të rifillojë sapo qeveria të veprojë në përputhje me rekomandimin e BE-së për shtensionim të situatës në Veri”.

Ilustrim.

“Ne sinqerisht shpresojmë se do të jemi në gjendje t’i lëmë pas shumë shpejt të gjitha këto dhe do të kthehemi në fokusin tonë, në reformat që janë kritike për afrimin e Kosovës drejt BE-së”.

Më 4 korrik, Kosova është sanksionuar nga Bashkimi Evropian për shkak të situatës së tensionuar në Veri.

Masat që u paralajmëruan për Kosovën, përveç se nga institucionet u konsideruan si “tejet të padrejta”, për profesorët e çështjeve ndërkombëtare janë edhe “jashtëzakonisht të dëmshme”, pavarësisht nëse do të jenë për një periudhë të shkurtër apo afatgjate.

Nga sanksionet të cilat vijnë ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në Veri, njëra ndër më të rëndat rezulton të jetë “shqyrtimi i propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF)”.

Kornizë kjo e cila përmban investime në fushën e transportit, energjisë, mjedisit, kapitalit njerëzorë dhe bujqësisë.

Përmes këtij procesi bashkohen përfituesit donatorët dhe huamarrësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore