Lajme

Zyrtarët po e lënë për në fund deklarimin e pasurisë, Buleshkaj: APK-ja në pritje të 1 mijë e 400 formularëve


Ilustrim

Kanë mbetur edhe tri ditë kohë deri në mbylljen e afatit për deklarim të pasurisë nga ana e zyrtarëve shtetëror e institucional ndërsa deri më tani rreth 2 mijë e 500 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë nga rreth 5 mijë të cilët janë të obliguar.

Kështu të paktën ka bërë të ditur drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, i cili tha se edhe gjatë këtij viti deklarimi i pasurisë është duke vazhduar me avazin e vjetër e duke u lënë për ditën e fundit.

Më tej drejtori Buleshkaj ka deklaruar se ata të cilët nuk e deklarojnë pasurinë do të gjobiten deri në 500 euro.

“Deri më tani rreth 2 mijë e 500 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë nga rreth 5 mijë të cilët janë të obliguar, por janë edhe 30 për qind të tjerë të cilët kanë filluar plotësimin e formularit. Presim që edhe ky grupi tjetër i rreth 1 mijë e 300 apo 400 zyrtarëve ta plotësojnë shumë shpejt. Fatkeqësisht prapë po vazhdon ai avazi i vjetër ku deklarimi pasurisë kryhet në ditët e fundit, përderisa afati i fundit për deklarim të pasurisë është e premtja, prapë kemi një numër shumë të madh të atyre të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë”, ka deklaruar Buleshkaj.

Buleshkaj ka shtuar se mosdeklarimi me kohë është duke shkaktuar edhe probleme, pasi gjatë plotësimit të formularit në momentet e fundit po bëhen gabime të mëdha.

Si pasojë e gabimeve, ai ka theksuar se mund të përfundojnë në Prokurori.

“Ligji i ri i cili e parasheh dhe e rregullon mënyrën e deklarimit të pasurisë e ka paraparë që secili zyrtar i cili nuk e deklaron në kohë, e pranon një gjobë mandatore. Po besojmë që në javën e parë të prillit të gjitha ata zyrtarë të cilët nuk e kryejnë në kohë do ta marrin një gjobë e cila është deri në 500 euro, apo 30 për qind e pagës së tyre. E pastaj ju dhurohet një afat shtesë prej 15 ditësh për ta dorëzuar formularin e deklarimit të pasurisë. Pas kësaj kohë të gjitha këto raste me automatizëm do të kalohen në Prokurori”, ka deklaruar Buleshkaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore